O SOT O KURRË!
Kombëtarja shqiptare është përballë provës së "zjarrit" sot në Islandë, pasi luan edicionin e këtyre eliminatoreve të "Brazil 2014". Pas humbjes dramatike në Slloveni, kuqezinjtë do të tentojnë që të rikuperojnë në transfertën e dytë të shtatorit në ishullin e akullt për të marrë pikët e plota me synim rikthimin e restos ekipit të Islandës. Kundërshtari arriti një fitore mjaft surprizë në Shqipëri me shifrat minimale 1-2, me një gol në fundin e takimit, që ka mbetur peng i De Biasit që e rikujton në çdo konferencë shtypi.

Kuotimet favorizojnë më shumë vendasit në krahasim me miqtë, pasi vijnë nga ndeshje të kundërta. Teksa Shqipëria humbiste në Lubjanë në Zvicër, Islanda bënte mrekullinë duke barazuar 4-4 në një ndeshje të pabesueshme që gjunjëzoi helvetët.

Megjithatë kombëtarja e drejtuar nga De Biasi synon pikët e plota për të shmangur dështimin. "Duhet të harrojmë ndeshjen me Slloveninë dhe të përqendrohemi maksimalisht përballë Islandës", deklaroi De Biasi. Ndërsa më tej, kapiteni Lorik Cana është optimist se do të marrin hak ndaj Islandës për humbjen në Tiranë me rezultatin 1-2 në ndeshjen e parë. "Islanda është një "kockë e fortë", por ne nuk do të dorëzohemi përballë ëndrrës që të luajmë në kampionatin botëror. Jemi të ndërgjegjshëm që na pret një 90’ i fortë, por besojmë se do ia dalim mbanë", përfundoi ai.

Shqipëria në këtë ndeshje do të zbresë në fushë me Berishën në portë, më pas në mbrojtje me Canën, Telin dhe nga krahët Dallkun e Lilën.

Dilemat janë në mesin e fushës, aty në pole position janë Bulku, Rama, Vila dhe Abrashi, ndërsa në sulm të sigurt do të jenë Salihi dhe Çani.

Aktualisht situata në grupin E aty ku bën pjesë edhe Shqipëria është mjaft e ndërlikuar, pasi barazimi i ekipit të Zvicrës në shtëpi përballë Islandës e ka rihapur luftën për vendin e parë dhe për vendin e dytë. Tashmë katër ekipe janë në garën për vendin e parë dhe të dytë në grup, nuk është cudi që edhe Zvicra të përfundojnë në vendin e dytë.

Por, Kuqezinjtë kanë shanset e tyre, pasi nëse fiton sot, ndeshjet e fundit i luan me Zvicrën në shtëpi dhe me ekipin e Qipros në transfertë, por që është pa objektiva, pasi ka përfunduar në vendin e fundit në grup. Prandaj ndeshja e sotme për Shqipërinë është: gjithçka ose asgjë. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2013, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori