Optimizëm në Kombëtare, Berisha: Duam diçka historike
Pëlqej
Para sfidës me Portugalinë Kombëtarja shqiptare është pushtuar nga dozat e larta të optimizmit, me trajnerin dhe futbollistët që deklarojnë nga gadishulli iberik nuk do të dalin pa pikë. Në fillim të javës ishte Gianni De Biasi që vendoste këtë objektiv dhe më pas futbollistët me radhë në intervistat e tyre duke deklaruar se do kërkojnë golin. Por pavarësisht objektivit, në parim punën më të madhe pritet ta ketë mbrojtja dhe në veçanti portieri Etrit Berisha.


Në një intervistë për "Sport News", numri një i portës kuqezi nuk ul optimizmin, duke theksuar se skuadra ka nisur përgatitjet që në momentin e hedhjes së shortit të Euro 2016.

"Kemi nisur përgatitjet që në momentin e hedhjes së shortit. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe jo vetëm unë por i gjithë ekipi do të japë maksimumin. Nga forma e treguar shohim shenja pozitive dhe shpresojmë për një ndeshje të mirë", ka thënë portieri i Lazios.

Tashmë opinioni sportiv por mbi të gjitha tifozët presin rezultate, madje duke guxuar të kërkojnë edhe kualifikimin për në europianin e Francës. Të njëjtin objektiv ka vendosur edhe skuadra, që sipas 25-vjeçarit Berisha përgjigjen duhet ta japë në fushën e lojës.

"Kemi shanse nisur edhe nga shorti pasi dy skuadra kualifikohen direkt, ndërsa kualifikohet edhe e treta më e mirë. Kemi kualitete por mbi të gjitha luajmë si skuadër. Kemi shumë dëshirë për të arritur diçka historike dhe mendoj se dy ndeshjet e para do të tregojnë se çfarë mund të arrijmë", vijoi Berisha.

Ndaj Portugalisë skuadra shkon me moralin e lartë, nisur jo vetëm nga forma e treguar në seancat stërvitore por edhe nga paraqitja e mirë në miqësoren me modestët e Racing Villabes.

"Kemi dhe 2 ditë kohë në të cilat po studiojmë kundërshtarin por edhe lojën tonë. Luajtëm një miqësore ndaj një skuadre inferiore por aty u panë sinjale pozitive. Kemi mundësi reale të bëjmë mirë dhe të fitojmë", përfundoi gardiani i portës kuqezi. /albeu.com/




Shtuar më 05/09/2014, ora 14:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori