Parashikimi i Bogdanit: Portugali 1-1 Shqipëri
Pëlqej
Erion Bogdani është një nga tre ish-futbollistët e Kombëtares shqiptare (bashkë me Adrian Aliajn dhe Igli Taren) që ka arritur t’i shënojë Portugalisë. Në takimin e fundit që dy skuadrat kanë zhvilluar në “Qemal Stafa”, më 6 qershor të vitit 2009, ish-sulmuesi ka realizuar një supergol në humbjen 1-2.

Golashënuesi më i mirë i Shqipërisë (19 gola në 75 ndeshje) ka qenë në fushë edhe në barazimin historik kundër luzitanëve në Braga. Tashmë duke e parë Kombëtaren me një tjetër staturë, 37-vjeçari ka folur për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes që Shqipëria ka kundër Portugalisë.

Bogdani “vë bast” për një barazim 1-1, ndërsa tregon detaje të pathëna më parë që lidhen me takimet kundër ekipit të Ronaldos dhe trajnerit Josip Kuzhe.

"Shqipëria mund të bëjë mirë në Portugali, jam optimist. Një rezultat pozitiv në këtë ndeshje do të ndikojë shumë për vazhdimësinë në grup. Vërtet Portugalia nuk do të ketë lojtarin më të mirë në botë, Ronaldo, por prapë nuk mund të them se do të jetë më e lehtë për ne. Ata kanë disa lojtarë të afirmuar dhe bashkë me Serbinë i shikoj si favoritët e grupit tonë. Në ndeshjen e së dielës, presioni është i gjithi te portugezët, të cilët duan fitore me çdo kusht. Në këtë situatë, me një mbrojtje të mirë dhe kundërsulm efikas, do të na dalë diçka pozitive. Parandjenjë për rezultatin? Unë e shikoj barazim 1-1", është shprehur Erion Bogdani. /albeu.com/



Shtuar më 07/09/2014, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori