Portugali-Shqipëri, Berisha: Dua të përsëris mrekullitë e Beqajt
Pëlqej
Etrit Berisha ka bindjen se Shqipëria mund të marrë pikë në Portugali, edhe pse është i ndërgjegjshëm se do të jetë shumë e vështirë. Në një intervistë për "SuperSport" portieri i kombëtares kuqezi shpreson që të përsërisë paraqitjen e Arjan Beqajt në ndeshjen e 6 viteve më parë, kur kuqezinjtë morën një barazim 0-0 me 10 futbollistë në fushë për më shumë se 50 minuta.

"Kemi nisur përgatitjet që në momentin e hedhjes së shortit. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe jo vetëm unë, por i gjithë ekipi do të japë maksimumin. Nga forma e treguar shohim shenja pozitive dhe shpresojmë për një ndeshje të mirë", është shprehur portieri i Lazios.

Të gjithë presin rezultate, madje duke guxuar të kërkojnë edhe kualifikimin për në Europianin "France 2016" dhe të njëjtin objektiv ka vendosur edhe skuadra që sipas 25-vjeçarit Berisha përgjigjen duhet ta japë në fushën e lojës.

"Kemi shanse nisur edhe nga shorti, pasi dy skuadra kualifikohen direkt, ndërsa kualifikohet edhe e treta më e mirë. Kemi kualitete, por mbi të gjitha luajmë si skuadër. Kemi shumë dëshirë për të arritur diçka historike dhe mendoj se dy ndeshjet e para do të tregojnë se çfarë mund të arrijmë", vijoi Berisha.

Ndaj Portugalisë, skuadra shkon me moralin e lartë, nisur jo vetëm nga forma e treguar në seancat stërvitore, por edhe nga paraqitja e mirë në miqësoren me modestët e Racing Villabes.

Berisha ka deklaruar se luhet ndaj Portugalisë dhe jo ndaj Ronaldos. "Ronaldo është më i miri në botë dhe sigurisht mungesa e tij na favorizon. Por Portugalia ka futbollistë të mirë dhe të rinj të talentuar. Për ne është njësoj, edhe nëse luan Ronaldo ose jo".

Në sfidën e fundit të luajtur në Portugali, Kombëtarja shqiptare mori një barazim pa gola falë paraqitjes heroike të ish-portierit Arjan Beqaj. Numri një i portës së Lacios thur elozhe për atë paraqitje të ish-gardianit kuqezi.

"E kam parë atë ndeshje, ashtu si të gjitha sfidat e Kombëtares Shqiptare. Beqaj ka bërë një paraqitje spektakolare. Do mundohem që së bashku me ekipin, të paraqitemi sa më mirë dhe të dalim me fitore", përfundon Etrit Berisha. /albeu.com/


Shtuar më 06/09/2014, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori