Portugali-Shqipëri, De Biasi në dilemë për formacionin
Pëlqej
Teksa dita e debutimit të kombëtares Shqiptare në Eliminatoret e Euro 2016 po afron, dilemat e formacionit për trajnerin Gianni De Biasi janë të mëdha. Pasi ka parë skuadrën në seancat stërvitore, numri 1 i stolit kuqezi ka shumë pikëpyetje mbi ndërtimin e 11 titullar që do të hedhë në fushë të dielën në orën 20:45 ndaj Portugalisë.

Në të gjitha variantet e mundshme taktike që italiani mund të përdorë janë vetëm 5 futbollistë që duekt se kanë vendin e sigurt. Nuk ka dyshime përsa i përket portës, çelsat e të cilës do ti besohen gardianit Etrit Berisha. Mbrojtja në masën 75% është e kolauduar, me Canën, Mavrajna dhe Agollin që kanë vendin e sigurt në formacion, duke përjashtuar këtu ndonjë surprizë të pakëndshme.

Dilemat janë të mëdha në krahun e djathtë të repartit difensiv, ku në balotazh janë Andi Lila, Taulant Xhaka dhe Elseid Hysaj.

Në mesfushë bind prezenca e mesfushorit shtatshkurtër të Paok-ut, Ergys Kace, teksa pjesa tjetër e formacionit është ajo që shkakton dhimbje të mëdha koke për trajnerin De Biasi.

Në sulm Salihi, Cikalleshi dhe Kapllani janë alternativat, por italiani i stolit kuqezi mund të vendosë të luajë edhe me Gashin, duke përdorur skemën me një 9 të fshehtë.

Në mesfushë alternativat janë të shumta, duke filluar me Bulkun, Kukelin, Xhakën, Gashin, Shalën, Abrashin apo edhe spostimin e Lilës.

Shumë dilema në mendjen e 59-vjeçarit për të vendosur formacionin titullar, që mesa duket do ta zgjidhë vetëm në orët e fundit, pak përpara fillimit të ndeshjes. /albeu.com/
Shtuar më 04/09/2014, ora 11:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori