Ragip Xhaka: Taulanti dhe Graniti do luajnë për Kosovën
Pëlqej
Ragip Xhaka bëhet edhe një herë tjetër protagonist në deklaratat e tij në media. Siç raportojnë mediat kosovare babai i dy lojtarëve të talentuar që kanë zgjedhur të luajnë njëri për Zvicrën dhe tjetri për Shqipërinë, ka thënë se në të ardhmen ata do të luajnë me ekipin e Kosovës.

Në një deklaratë për emisionin radiofonik "Zonë e Nxehtë" babai i Taulant dhe Granit Xhakës është shprehur se dy djemtë e tij në të ardhmen do të luajnë për Kosovën.

Kjo deklaratë ka ardhur fill pasi trajneri i Kosovës ka thënë se po has shumë vështirësi në përzgjedhjen e lojtarëve dhe përpilimin e listës për ndeshjet miqësore.

"Varet nga trajneri ynë, por edhe nga fakti se sa do të arrijë Kosova të pranohet në UEFA dhe FIFA. Kur të ndodhë kjo, atëherë bëhet gjithçka. Sigurisht që do të koordinohemi dhe besoj se çdo gjë e mirë për përfaqësuesen do të arrihet. Mendoj se nuk do të ketë asnjë pengesë për këtë çështje dhe Taulanti së bashku me Granitin nuk do t’i ndalë askush për të thënë po për Kosovën", ka thënë Ragip Xhaka.

Kjo nuk është hera e parë që babai i dy futbollistëve "provokon" me deklaratat e tij. Kohë më parë ai akuzoi presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka se kërkoi para për të pranuar në kombëtaren shqiptare Granit Xhakën. /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2014, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori