Rei Manaj te Juventus? Cremonese e përgënjeshtron
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare U21, Rei Manaj u bë objektiv i disa shkrimeve në mediet italiane, të cilat njoftuan se ai, sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e kampionëve të Italisë, Juventusit.

Lajmi u publikua në faqe të ndryshme interneti italiane, sipas të cilave blerja e 18-vjeçarit shqiptar dhe 3 lojtarëve të tjerë të Cremoneses, i ka kushtuar Juventusit 2 milionë euro.

Sipas të njëjtave njoftime, Manaj do ta mbyllte sezonin me ekipin aktual dhe në verë do t’i bashkohej të rinjve të skuadrës bardhezi.

Sulmuesi i Shpresave është një nga talentët kuqezi më të përfolur të momentit. Në garë për të janë edhe disa klube të tjera italiane, mes të cilave Interi dhe Roma, por Juventusi duket se po këmbëngul më shumë.

Cremonese, përmes faqes zyrtare të internetit, hedh poshtë zërat për një akord të arritur me Juventusin, duke "kërkuar të sqarojë se sulmuesi shqiptar Rei Manaj është ende dhe me të gjitha efektet lojtar nën pronësinë e US Cremonese". /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2015, ora 10:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori