Rinovimi i kontratës së
trajnerit të Kombëtares, Gianni De
Biasi, me Federatën Shqiptare të Futbollit mbetet tema e ditës. Madje, kjo e fundit ka sfumuar paksa edhe dy ndeshjet e këtij
muaji. Pavarësisht se edhe pas përballjes me Zvicrën trajneri italian theksoi se kishte rënë parimisht dakord me presidentin Armando
Duka, firma vonon të
hidhet. Arsyeja qëndron te një kusht që së fundmi kreu i federatës i ka vënë
trajnerit për kualifikimet e ardhshme.
Nëse për këtë edicion De
Biasi nuk ka pasur një objektiv primar dhe të qartë, përveçse rinovim të skuadrës dhe marrjen e sa më shumë pikëve, për EURO 2016 (ndeshjet e të cilit nisin në shtator 2014)
Duka ka vënë si kusht në kontratë kualifikimin e Kombëtares në këtë eveniment.
Nëse ky kusht do të pranohet nga De
Biasi, atëherë do jetë realisht hera e parë në gjithë historinë e ekipit tonë përfaqësues që do pretendohet të bëhet një hap kaq i madh. Sakaq, mësohet se De
Biasi e ka pranuar parimisht këtë kërkesë të Dukës, por më së pari ka kërkuar që të mësojë edhe shortin e këtyre kualifikimeve. EURO 2016 do të zhvillohet në Francë, teksa shorti i kualifikimeve do të
hidhet në "Pallatin e Kongreseve" në Nisë, më 23 shkurt 2014. Ndërsa shorti për këtë kampionat, pas kualifikimit të 24 skuadrave, do
hidhet më 11 dhjetor 2015 në Paris.
Edhe pse në pamje të parë një kërkesë e tillë nga ana e
trajnerit duket më se normale, zor se presidenti
Duka do ta pranojë, kjo nisur edhe nga fakti se kontrata e italianit përfundon në fund të këtij
muaji, pra rinovimi duhet bërë gjatë këtyre ditëve. Përveç kësaj, edhe pse italiani ka ulur pretendimet financiare nga 30% që pat kërkuar më përpara në 15%, duket se edhe në këtë pikë
Duka nuk do të bëjë asnjë lëshim, duke i qëndruar ofertës së dhënë që në mesin e gushtit, me 10% rritje page.
Vetëm në rast se Kombëtarja do merrte 6 pikë në dy takimet e këtij
muaji (të fitonte me Zvicrën dhe me Qipron të martën), atëherë
Duka do pranonte që ta ngrinte ofertën e tij deri në 15%. /albeu.com/
Shtuar më 13/10/2013,
ora 11:37