Rumunët: Shqipëria duhet të merret shumë seriozisht
Në miqësoren ku Shqipëria u mposht 2-1 nga Austria, mes mijëra tifozëve në "Ernst Happel Stadion" të Vjenës ndodhej edhe Daniel Isaila. Bëhet fjalët për vëzhguesin e dërguar nga trajneri i Rumanisë, Iordanescu, kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin A të Euro 2016.

Pasi ndoqi nga afër paraqitjen e Kombëtares, ish-tekniku i Brașov-it, Targu Mures dhe Astra Giurgiu dha edhe vlerësimet për kuqezinjtë.

Në shpejgimin për atë që kishte parë gjatë miqësores së të shtunës, asistenti i përfaqësueses romune deklaroi se Shqipëria është një skuadër që duhet të merret seriozisht.

"Gjysma e parë e ndeshjes u kontrollua nga austriakët, të cilët shënuan edhe dy gola të shpejtë pas gabimeve të mëdha në mbrojtjen e Shqipërisë", tha Daniel Isaila, percjell SuperSport.

Më tej, vëzhguesi i "trekolorëve" theksoi se, tabloja në pjesën e dytë të ndeshjes ishte krejt e kundërt.

"Shqiptarët u shfaqën më të organizuar dhe kalonin mirë në fazën sulmuese", theksoi Isaila, i cili shtoi se "shqiptarët kanë lojtarë teknikë, mesfushorë shtatshkurtër dhe eksplozivë në fushë, si edhe e bazojnë lojën te pasimet e shkurtra".

Sipas pjesëtarit të stafit teknik të Rumanisë, mesfusha dhe autori i golit në Vjenë, Ermir Lenjani janë padyshim pikat e forta të ekipit kuqezi.

"Shqipëria është një ekip që duhet të merret shumë seriozisht", ishte përfundimi i Daniel Isailas. /albeu.com/
Shtuar më 28/03/2016, ora 17:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori