Sadiku flet si kuqezi: Nuk pendohem që nuk do luaj me Ibra-n
Pëlqej
Loret Sadiku ka marrë ftesë nga trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi për dy ndeshjet e rradhës eliminatore për "BRAZIL 2014″. Lajmin e ka konfirmuar vet lojtari për Panorama-Sport por para se të bëj debutimin e tij si kuqezi mbrojtësi shtatlartë duhet më parë të marrë edhe lejen e FIFA-s pas marrjes së pasaportës shqiptare.

"Fatkeqësisht do duhet të presin edhe pak (qesh). Unë dje (pardje) erdha për herë të parë në Shqipëri, pasi duhej të isha prezent për t’u pajisur me pasaportën shqiptare dhe tani do më duhet të pres edhe një lejekalimi nga FIFA, meqenëse kam luajtur më përpara me U-21 të Suedisë. Kam përshtypjen se nuk do kem probleme dhe shpresoj të jem i gatshëm që për ndeshjen me Zvicrën", ka thënë lojtari i Helsingborg.

Por cila është përshtypja e parë për Shqipërinë? "Do thosha pozitive, paçka se ika nga Suedia me shi dhe gjeta edhe këtu kohë të keqe. Duket sikur ua solla unë shiu, pasi në Suedi kjo kohë është gati normale".

Më tej, Sadiku foli edhe për vendlindjen e tij Kosovën, largimin për në Suedi që në moshën 6-muajshe dhe faktin se nuk e ka harruar kurrë origjinën e tij.

"Po, kam lindur në Kosovë, por nuk mbaj mend asgjë prej saj, pasi familja ime ka emigruar në Suedi kur unë isha vetëm 6 muajsh. Kështu që jam rritur dhe arsimuar në atë vend, gjithnjë duke mos e humbur dhe harruar sadopak origjinën time. Në shtëpi më së shumti flasim shqip, ndaj në shpirt jam shqiptar, paçka se i kam kaluar thuajse gjithë vitet e mia në Suedi", vijoi Sadiku.

I pyetur se tani që zgjodhi Shqipërinë nuk do të mund të luajë dot me Suedinë dhe Zlatan Ibrahimoviç Loreti kthen një përgjigje të prerë: "E kam bërë zgjedhjen time dhe jam i bindur për këtë". /albeu.com/


Shtuar më 02/10/2013, ora 12:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori