Sadiku në moment të vështirë, trajneri i Levantes s’e lejon të stërvitet me skuadrën
Armando Sadiku vazhdon të përjetojë një situatë aspak të këndshme në radhët e Levantes në kampionatin spanjoll.

Transferimi i tij te klubi i La Ligës duhej të ishte hapi i madh në karrierë, por për futbollistin shqiptar po kthehet në një makth vit pas viti.

Fillimisht ishte dëmtimi i verës së kaluar që e la shumë muaj jashtë, ndërsa tani është mënyra se si po e trajton klubi spanjoll, i cili e ka jashtë planeve dhe aktualisht nuk e lë as të stërvitet me grupin kryesor të futbollistëve.

Sadiku bashkë me Ivi, Luna dhe Prçiç, nuk bëjnë pjesë më në planet e klubit dhe trajneri Pako Lopez nuk dëshiron të punojë më me ta, por të përqendrohet te futbollistët e tjerë, ndërsa pritet që këtyre lojtarëve t’u gjendet një sistemim.

Për këtë arsye, këta lojtarë vetëm kryejnë nxehjen dhe ushtrimet fizike me ekipin e parë, ndërsa kur fillon puna taktike e teknike, ato largohen në një cep të terrenit stërvitor, siç tregon edhe video e publikuar nga mediat në Spanjë.
Shtuar më 07/08/2019, ora 16:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori