Sadiku "tërbon" FSHF-në: Kuqezi vetëm si titullar
Pëlqej
Nuk ka fund telenovela "Loret Sadiku-Kombëtare shqiptare". Qendërmbrojtësi kosovar, por me pasaportë edhe shqiptare, ka nxjerrë një tjetër pretekst për të pranuar ftesën e trajnerit të ekipit tonë përfaqësues, Gianni De Biasi. Lojtari ka kërkuar garanci nga stafi teknik në lidhje me aktivizimin e tij si titullar, gjë që nuk është pritur aspak mirë nga këta të fundit.

Sadiku, i cili pak kohë më parë u largua nga Helsingborgu në Suedi drejt skuadrës turke Mersin, ka kontaktuar para pak ditësh me menaxherin e Kombëtares, Alban Bushi, të cilit i ka kërkuar pikërisht këtë gjë, si një kusht gati i panegociueshëm, për afrimin e tij te kuqezinjtë.

MESAZHET - "Përshëndetje! Unë kam biseduar me familjen dhe me Albertin (trajnerin e Kosovës) dhe jam i gatshëm të ndihmoj kombëtaren në kualifikime, por normalisht nëse jam titullar, përndryshe zhvillimi im është më i madh që të vazhdoj të luaj me Kosovën", ka qenë mesazhi i Sadikut në adresë të Alban Bushit.

Ky i fundit i është përgjigjur negativisht duke i shkruar: "Kërkesa është absurde. Askush nuk e ka vendin të sigurt në Kombëtare. Sadiku, por edhe çdo lojtar tjetër ka shansin të provojë se mund të luajë rregullisht, por askush nuk mund të ta dhurojë vendin në fushë. Formacionin e vendos trajneri dhe kjo që kërkon nuk është aspak e ndershme".

ROLI - Lojtari luan në qendër të mbrojtjes dhe në raste të rralla është përdoruar edhe si mesfushor shkatërrues dhe nëse stafi teknik do të pranonte këtë kushte, atëherë do duhej që kapiteni Lorik Cana ose njëri mes Migjen Bashës, Ergys Kaçes apo Ervin Bulkut, të cilët luajnë në mesfushë, të linin vendin (deri diku me pahir) Loret Sadikut.

REAGIMI I BUSHTI - Ndërkohë, për sa më sipër, "Panorama Sport" ka kontaktuar menaxherin e Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, i cili e ka konsideruar si absurde kërkesën e Sadikut.

"Unë gjykoj jo thjesht si menaxher i skuadrës, por edhe si një ishfutbollist, se një kërkesë e tillë është sa absurde, edhe fyese për të gjithë lojtarët e tjerë. Së pari, vendi i titullarit në skuadër nuk të jepet me kushte apo dëshirë, por vetëm nëse e meriton, ca më shumë kur bëhet fjalë për Kombëtaren. Së dyti, formacionin e bën trajneri i Kombëtares dhe ai e di se cilët lojtarë i bëjnë punë për një ndeshje të caktuar, referuar jo vetëm performancës së lojtarëve që ka në dispozicion, por edhe kundërshtarit. Kësisoj, në asnjë vend, në asnjë skuadër nuk të jepet me vulë vendi në formacion, por atë duhet ta fitosh, duke treguar cilësi dhe vlera. Në këtë kontekst, them se ky është një nga ato kushte si për t’u shfajësuar, për të mos ardhur në Kombëtare", ka thënë Bushi. /albeu.com/

Shtuar më 08/08/2014, ora 14:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori