Serbët e Superiores: Paragjykime, të mos ndërhyjë politika
Ivan Gvozdenoviç, Mlladen Brkiç, Dragan Antanasijeviç, Milan Nikoliç dhe Lazar Popoviç janë pesë futbollistët serbë që aktivizohen në klubet e Kategorisë Superiore. Të kontaktuar nga "Panorama Sport", lojtarët e Skënderbeut, Laçit, Partizanit, Vllaznisë dhe Kastriotit kanë dhënë përshtypjet e tyre për dy përballjet që do të ketë Shqipëria me Serbinë për Eliminatoret e "Euro 2016".

Të gjithë janë në të njëjtin mendim: "Politika nuk ka pse të ndërhyjë, është vetëm një ndeshje futbolli".

Sipas serbëve, të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar, është e sigurt që në fushë do të jetë një ndeshje normale futbolli.

"Unë jam futbollist dhe mendoj vetëm për futboll, kështu që për ndeshjen Serbi-Shqipëri nuk mund t’i futem asnjë diskutimi tjetër", shprehet sulmuesi i Laçit, Mladen Brkiç, i cili e shikon kombëtaren e vendit të tij si favorite në krahasim me Shqipërinë.

Ndërkohë, edhe pse i ardhur vetëm një muaj më parë te Partizani, mesfushori Antanasijeviç mendon se është shembulli më i mirë i bashkëjetesës së serbëve me kosovarët.

"Ne punojmë normalisht pa asnjë lloj problemi. Nuk ka arsye që përballjet në futboll mes Serbisë dhe Shqipërisë të shikohen të tensionuara. Unë nuk ia kam frikën politikës, por huliganëve, që mund të ndodhen në të dyja krahët. Kemi parë që ata kanë krijuar probleme edhe në ndeshjet e tjera të Serbisë. Shpresoj që në këto dy përballje të fitojë futbolli", është shprehur mesfushori i Partizanit.

Nga ana tjetër, Nikoliç i Vllaznisë mendon se në Serbi nuk e njohin situatën në Shqipëri. "Duke mos ditur se si jetohet këtu, në Serbi mendojnë keq për Shqipërinë. Megjithatë, unë dhe gjithë serbët e tjerë që jetojmë në Shqipëri jemi shumë të kënaqur", shprehet mesfushori i ekipit shkodran.

Edhe sulmuesi i Kastriotit, Lazar Popoviç, ka të njëjtin mendim: "Në fushë nuk do të ketë urrejtje, ndjeshmëri ndoshta ka te lojtarët kosovarë". /albeu.com/


Shtuar më 25/02/2014, ora 14:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori