Serbët në alarm: Nuk duam tifozë shqiptarë në Beograd
Pëlqej
Me afrimin e ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, opinioni serb dhe Federata e Futbollit të këtij vendi kanë nisur të shqetësohen. Jo për cilësinë e ekipit shqiptar, por për atë që pritet të tërheqin kuqezinjtë me vete në kryeqendrën serbe. Serbët po i frikësohen fluksit të tifozëve shqiptarë në Beograd, në veçanti atyre të Prishtinës, të njohur me emrin "Plisat". Ata i druhen konfrontimit, megjithëse janë të njohur për huliganizëm nëpër stadiume.

Dje, shumë gazeta serbe kanë dalë me tituj fyes për tifozët e Prishtinës si: "Paralajmërimi i një rrëmuje: huliganët prishtinas vijnë në Beograd", "Huliganët prishtinas okupojnë Beogradin" dhe "Të ndalohet rrëmuja: tifozët shqiptarë do ta përkrahin Shqipërinë në Beograd".

Ndërkohë dje, ndër të tjera, në gazetën prestigjioze serbe, "Kurir", shkruhej: "Tifozët e mbledhur pas këtij grupi, i përcjellin të gjitha ndeshjet e Prishtinës, por edhe të përfaqësueses së Shqipërisë dhe janë të njohur me huliganizmin dhe trazirat që i shkaktojnë".

"PLISAT" - Shqetësimi i opinionit serb të hënën është konfirmuar edhe nga kreu i grupit të tifozëve të Prishtinës, "Plisat", Albert Kastrati. Ai thotë se ka nisur seleksionimi i atyre që do të udhëtojnë në Beograd. Sipas tij, kushti kryesor është që mosha të jetë mbi 20 vjeç.

"Që nga e hëna kemi filluar t’i shënojmë emrat e të interesuarve që dëshirojnë të na bashkohen për të udhëtuar në Beograd. Interesimi është shumë i madh, por ne do t’i përzgjedhim. Nuk duam të marrim njerëz vetëm pse kanë dëshirë të shohin ndeshjen. Të gjithë do të jenë mbi moshën 20-vjeçare. Deri tani interesim kanë shprehur rreth 200 tifozë nga grupi. Gjithashtu edhe "Tifozat Kuq e Zi", nga Shqipëria dhe vendet e tjera janë interesuar", ka thënë Kastrati. Ai ka bërë të ditur se udhëtimi për në Beograd mund të bëhet nga Prishtina ose Presheva.

Reagimi i FSHF-së - Shefi i marketingut në Federatën Shqiptare të Futbollit, Gazmend Malo, thotë se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë problematikë në stadiumet europiane.

"Ne kemi marrë kërkesa nga grupet tona të tifozërisë që duan të shkojnë në Beograd. Qëndrimi ynë është se duam t’ua plotësojmë dëshirat dhe kërkesat. Tifozëria e Kombëtares shqiptare nuk ka krijuar kurrë probleme në asnjë stadium të Europës dhe askush nuk duhet t’i trajtojë tifozët tanë si huliganë apo vandalë. Jemi në bisedime me Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë çështje, për përcaktimin e sektorit në stadium, çmimit dhe të tjerave. Për hapat e mëtejshëm do të njoftojmë me kohë. Ende nuk e dimë se sa do të jetë numri i tifozëve", ka thënë Malo për "Koha Ditore".


Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Zoran Lakoviç, më herët kishte paralajmëruar se pret që ndeshja me Shqipërinë ta marrë etiketën e duelit me rrezikshmëri të lartë. “Për fat të mirë apo për të keq, kemi përvojë për organizimin e ndeshjeve të tilla, si ajo e fundit kundër Kroacisë. Jemi mësuar që ndeshjet tona të marrin konotacion tjetër, krahas atij sportiv", është shprehur Lakoviç. /albeu.com/
Shtuar më 24/09/2014, ora 15:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori