Shala: Te Norvegjia po s'iu desha Shqipërisë
Pëlqej
Nuk është çudi që Herolind Shala të jetë shqiptari i radhës që braktis ngjyrat kuqezi. Të paktën nga ato çka deklaroi në intervistën ekskluzive dhënë dje "Panorama Sport" dhe në ndjesinë që të jepte teksa u përgjigje pyetjeve, dukej se mesfushori po merrte seriozisht ofertën e federatës norvegjeze për të veshur fanellën e kombëtares së këtij vendi.

Shkak, sipas Shalës, është injorimi që i është bërë atij si nga FSHF-ja dhe nga trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi.

"Unë dua me shpirt që të luaj për Shqipërinë. Mirëpo, nëse në Kombëtaren shqiptare nuk ka vend për mua, normalisht që do të bëj një zgjedhje tjetër", ka thënë ndër të tjera Herolind Shala.

"Mund të konfirmoj se drejtuesit e federatës norvegjeze janë interesuar për mua në klub, por pa më pyetur mua direkt, nëse dua të luaj për Norvegjinë apo jo. Normalisht ata kanë parë ecurinë time në dy vitet e fundit, gjatë të cilëve jam munduar realisht të bëj më të mirën për skuadrën time, ndaj edhe po shikojnë nëse më kthejnë sërish", ka vijuar më pas Shala.

I pyetur nëse po e kërkon me zor grumbullimin në Kombëtare Shala u shpreh: "Jam një lojtar profesionist që luaj rregullisht në një nga tri skuadrat më të mira në Norvegji dhe që për të mbrojtur ngjyrat e kombit tim hoqa dorë nga kombëtarja norvegjeze dhe erdha të luaj për Shpresat e Shqipërisë pa asnjë lloj dyshimi. Tanimë dua vetëm të kontribuoj edhe më tej për kombëtaren dhe kombin tim, gjithnjë nëse trajneri dhe federata më konsideron të vlefshëm". /albeu.com/


Shtuar më 24/08/2014, ora 17:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori