Shkëlqen Shala, dygolësh në Kupën e Norvegjisë (VIDEO)
Pëlqej
Herolind Shala çmend Norvegjinë me magjitë e tij. Mesfushori i kombëtares shqiptare ishte edhe një herë tjetër përcaktues për skuadrën e tij Odd Grenland por këtë herë në Kupën e Norvegjisë. 22-vjeçari realizoi një dygolësh në ndeshjen e raundit gjysmëfinal mes Odd Grenland dhe Sarpsborg sfidë që u fitua me rezultatin 5-2 nga skuadra e Shalës që siguroi kështu një vend në finalen e madhe ku Odd-in e pret Molde.

Futbollisti shqiptar i hapi rrugën e fitores skuadrës së tij pasi në minutën e 48-të të ndeshjes që zhvillohej në stadiumin e Odd "Skagerak Arena", Shala kthehu në gol një 11-metërsh të fituar nga lojtarët vendas duke barazuar rezultatin në 1-1.

Por në momentin e penalltisë miqtë nga Sarpsborg mbetën me një lojtar më pak pasi autori i faullit Thomassen u ndëshkua me karton të kuq. Ky fakt ndikoi jo pak në ecurinë e ndeshjes me Odd Grenlandin që e kishte akoma edhe më lehtë për të realizuar edhe gola të tjerë.

Në minutën e 58-të Jonhsen shënoi golin e avantazhit për vendasit ndërsa tetë minuta më pas sulmuesi i Odd i shërbyer nga Herolind Shala realizoi edhe të tretin. Në minutën e 71-të skena ishte e gjitha për Herolind Shalën që sigloi rrjetën e dytë personale në këtë sfidë si dhe shënoi golin e katërt për Odd duke vendosur në kasafortë fitoren e skuadrës së tij.


Në një total prej 28 ndeshjesh 22-vjecari ka realizuar 6 gola në kampionat dhe 5 në Kupën e Norvegjisë. Shala, i cili u grumbullua nga trajneri i kombëtares Gianni De Biasi për sfidën eliminatore të Euro 2016 ndaj Portugalisë por që nuk zbriti në fushë për asnjë minutë, pritet të jetë ndër të përzgjedhurit e trajnerit italian edhe për dy takimet e muajit tetor ndaj Danimarkës dhe Serbisë. /albeu.com/
Shtuar më 26/09/2014, ora 09:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori