Shqipëri-Zvicër, Duro i jep lamtumirën futbollit
Pëlqej
Kur stadiumi të jetë ndezur plotësisht nga thirrjet Shqipëri, Shqipëri, pak minuta përpara goditjes së topit të parë të ndeshjes mes kuqezinjve tanë dhe Zvicrës, këmbët e Klodian Duros do të prekin sërish tapetin e "Qemal Stafas", dhe hapat e tij drejt tifozëve, do të jenë ato të lamtumirës, pas një karriere të pasur, në nivel klubesh por dhe me përfaqësuesen.

Ndeshja me Zvicrën, do të jetë dhe përshëndetja e lamtumirës, e 35-vjeçarit me tifozët kuqezi, por gjithashtu dhe përshëndetja e fundit me futbollin e luajtur. Federata Shqiptare e Futbollit, do t’i kushtojë një ceremoni lamtumire, një prej lojtarëve që ka veshur më gjatë fanellën e përfaqësueses, plot 78 ndeshje, në të cilat ka realizuar dhe 6 gola.

Dhe teksa në sfond do të shfaqen disa prej momenteve më të bukura të karrierës së tij futbollistike, Duro do të bëjë dhe xhiron e fushës për të rrëmbyer duartrokitjet e publikut të tij.

I lindur në Elbasan më 21 dhjetor, 1977, Duro e nisi karrierën e tij pikërisht te verdheblutë e qytetit të tij, për të luajtur më pas me Tiranën, Partizanin dhe Vllazninë në Kategorinë Superiore. Ndërsa një përvojë të gjatë ai pati dhe jashtë vendit, fillimisht me turqit e Malatyaspor, ku goli I tij ndaj Galatasaray-it u vlerësua dhe si më i bukuri i javës nga rrjeti mediatik sportiv, Eurosport.

Ndërsa në karrierën e tij Duro, veshi dhe fanellat e Samsunspor, Galatasaray, Çaykur Rizespor, Arminia Bielefeld, Omonia, Apollon Limassol dhe LASK Linz, ku luajti para rikthimit të tij te Tirana dhe vendimit përfundimtar për të varur përfundimisht këpucët në gozhdë. /albeu.com/
Shtuar më 10/10/2013, ora 22:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori