Esad
Morina pritet të jetë lojtari i radhës që i bashkohet përfaqësueses
shqiptare U-19. Sulmuesi 17-vjeçar i Schalke 04 ka spikatur këtë sezon me skuadrën
U-19 dhe ka tërhequr vëmendjen e medias gjermane, por ndërkohë edhe të FSHF-së. Burime pranë institucionit të futbollit bënë me dije për Panorama Sport se, kanë
nisur procedurat për pajisje me pasaportë
shqiptare për të riun me origjinë nga Kosova.
FTESA - Trajneri i Kombëtares
U-17, Xhemal Mustedanagiç, e pat ftuar Morinën që të merrte pjesë në grumbullimin e talenteve javën e kaluar. Lojtari i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës, por Schalke kishte refuzuar që ta linte të lirë futbollistin, pasi në fundjavë të rinjtë
U-19 të kësaj skuadre kishin një ndeshje shumë të fortë kundër bashkëmoshatarëve të tyre të Borussia Dortmundit. Gjithsesi, federata
shqiptare nuk ka dashur që të humbë kohë dhe pasi ka marrë edhe miratimin familjes së talentit, ka
nisur procedurat për ta pajisur me pasaportë
shqiptare.
Morina ka luajtur disa ndeshje me përfaqësuesen
U-17 të Gjermanisë, por duket se është gati plani për ta zgjidhur edhe këtë ngërç, ashtu sikundër ka ndodhur edhe me lojtarë të tjerë të përfaqësueses në të kaluarën.
Sulmuesi mund të jetë një ndihmë e madhe edicionin e ardhshëm për përfaqësuesen e drejtuar nga Foto Strakosha. /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2014,
ora 17:54