"S'i trembemi Serbisë, në Beograd për pikë"
Pëlqej
Duhet më shumë se një muaj për ndeshjen ndaj Serbisë më 14 tetor në Beograd, por përsëri ajo është tema kryesore në intervistat e lojtarëve të Kombëtares shqiptare, sidomos atyre me origjinë nga Kosova. I disati në radhë që shënjestron serbët është mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili, në një intervistë dhënë "Bota sot", pohon se kuqezinjtë do të luajnë pa frikë në Beograd, pavarësisht atmosferës së nxehtë që pritet ta pushtojë stadiumin.

Mbrojtësi i Koln beson se me një lojë të kujdesshme, ashtu si në Portugali, Shqipëria mund të marrë pikë të rëndësishme.

Në parashikimin e renditjes për grupin tonë, sipas Mërgim Mavrajt fituese do jetë Danimarka e Morten Olsenit, kundërshtari i radhës i kuqezinjve.

"Unë mendoj se e kemi nisur mirë dhe se mund të vazhdojmë me këtë ritëm. Forca jonë është e gjithë skuadra dhe tifozëria, e cila na jep përkrahje të jashtëzakonshme. Ata janë edhe frymëzimi për të luftuar deri në pikën e fundit. Besoj se do të marrim pikë edhe në këto dy takime kualifikuese", ka thënë Mavraj.

I pyetur nëse i trembet atmosferës që mund të krijohet në Beograd Mavraj përgjigjet: "Jo, aspak. Nuk kemi frikë nga asgjë, por do të bëjmë më të mirën në këtë përballje, me qëllim që të dalim me pikë". /albeu.com/






Shtuar më 17/09/2014, ora 16:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori