Status emocionues nga kapiteni Mavraj: T’i tregojmë Evropës që Shqipëria ka ambicie të mëdha
Ndeshja me Francën ditën e sotme, do të jetë historike për Shqipërinë, pasi do të inaugurohet stadiumi i ri “Air Albania”, i cili konsiderohet si një nga më të mirët e Ballkanit.

Ndonëse nuk është i grumbulluar me Kombëtaren, nuk mund të rrinte pa folur për këtë ditë edhe Mërgim Mavraj.

Ishte pikërisht 33-vjeçari, i cili së bashku me shokët realizuan një ëndërr shumë të madhe të shqiptarëve, siç ishte kualifikimi në Euro 2016.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Mavraj ka falënderuar të gjithë për ndërtimin e këtij stadiumi model.

Gjithashtu shton duke thënë se ky do të jetë një gëzim i jashtëzakonshëm, dhe do t’i tregojmë Europës se Shqipëria pavarësisht se jemi një vend i vogël, përsëri kemi ambicie të mëdha.

Postimi i plotë i Mavrajt

“Sot është një tjetër ditë historike për SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT! Një ditë e cila nuk është e rastësishme, sepse disa Burra që nuk duhen harruar, pavarësisht ku janë sot, dhanë gjithçka për ta futur Shqipërinë në hartën europiane. Luftuan për këtë fanellë, shkruajtën historinë më gërma të arta dhe kontribuuan që të edhe brezat në vazhdim të kenë si pikënisje pikërisht Europianin 2016.

Unë si kapiten i Kombëtares dua t’i them Hallall atyre Burrave! Për djersën, sakrificat, dëshirën dhe sidomos ndjenjën e fanellës kuqezi. Sot, shtëpia jonë e re do të përurohet dhe ky gëzim i jashtëzakonshëm është i pakrahasueshëm. I tregojmë Europës se edhe ne, Shqipëria, edhe pse vend i vogël, kemi zemër dhe ambicie të madhe. Edhe ne mund të ndërtojmë stadium modern, edhe ne mund të shkruajmë historinë siç e bëmë!”.
Shtuar më 17/11/2019, ora 16:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori