Transferimi në Serie A, Cikalleshi: E mbyll këtë muaj
Një gjë është e sigurt: Sokol Cikalleshi nuk do të qëndrojë deri në fund të kontratës së tij te RNK Split. Ofertat e shumta të ardhura në adresë të tij gjatë muajit të fundit kanë bërë që edhe drejtuesit e klubit kroat të lëvizin në këtë drejtim, duke kërkuar më së pari që të përfitojnë sa më shumë financiarisht.

Për sulmuesin kavajas, sipas mediave kroate, është vendosur një çmim diku tek 4 milionë euro, më i larti deri tani për një lojtar të Kombëtares kuqezi.

Gjithsesi, përfitimi financiar i RNK Splitit do të vijë në bazë të bisedimeve me klubet që do kërkojnë shërbimet e Cikalleshit. Më së pari është Sampdoria, Drejtori Sportiv i së cilës ndoqi nga afër edhe në derbin e javës së shkuar në Kroaci, Hajduk Split-RNK Split, pikërisht për të ndjekur kavajasin. Ndërkohë, lajmi u konfirmua edhe të hënën në darkë nga gazetari i mirënjohur i "Sky Calcio", Gianluca Di Marzio.


I kontaktuar nga "Panorama Sport", sulmuesi ka saktësuar se gjithçka do të mund të mbyllet deri në fund të këtij viti. "Nuk ka ende asgjë konkrete, pasi jemi në rangun e bisedimeve. Gjithsesi, do të mundohem që këtë gjë ta mbyllim këtë muaj, pra deri në fund të këtij viti", ka saktësuar Cikalleshi, pa përmendur në asnjë rast nëse bëhej fjalë pikërisht për Sampdorian, apo për ndonjë skuadër tjetër.

Kujtojmë që mediatikisht, lojtari është edhe në orbitën e Fiorentinës në Itali si dhe të francezëve të Rennes. Edhe këta të fundit kanë monitoruar nga afër lojtarin dhe me gjasa do të bëjnë një ofertë te klubi kroat. /albeu.com/


Shtuar më 10/12/2014, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori