Tundimi nga Suedia, Loret Sadiku ndërron mendje?
Loret Sadiku nuk do jetë pjesë e skuadrës sonë përfaqësuese për ndeshjen e së premtes ndaj Bjellorusisë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta pranë ekipit tonë në Antalya. Lojtari, i cili pritej të ishte ndër të parët në grumbullim, pasi në Suedi ku ai jeton dhe luan kampionati ka përfunduar prej më shumë se dy javësh, ka pohuar zyrtarisht se është i dëmtuar.

"Jam i dëmtuar dhe nuk mund të vihem në dispozicion të skuadrës për këtë ndeshje", mësohet t’u ketë komunikuar ai stafit të ekipit tonë përfaqësues. Mungesa e mbrojtësit të Helsingborgut ngre një tjetër tymnajë, pasi ai kishte marrë vetëm pak kohë më parë pasaportën shqiptare dhe ishte në pritje edhe të lejes së FIFA-s për të luajtur zyrtarisht me Shqipërinë. Gjithsesi, Sadiku do mund të luante pa problem (edhe pa lejen e FIFA-s) në miqësoren ndaj Bjellorusisë dhe nëse do shkonte në grumbullim, me shumë gjasa, do aktivizohej nga minuta e parë. Kjo pasi dje ka refuzuar të udhëtojë drejt Turqisë edhe Mërgim Mavraj.


Gjithsesi, ajo që ka shqetësuar më shumë dje stafin teknik të ekipit tonë, është refuzimi i Loret Sadikut. Edhe në muajin qershor, ky lojtar i pat thënë "jo" skuadrës sonë, me të njëjtin pretekst: "jam i dëmtuar". Por, nuk duhet harruar se në atë kohë Sadiku ishte edhe nën presionin e federatës suedeze, e cila kërkonte që ta kishte në ekipin e vet përfaqësues. Në fund, pasi nuk u grumbullua nga trajneri Erik Hamren, Sadiku pranoi të pajisej me pasaportë shqiptare dhe të vihej në dispozicion të kuqezinjve.


Por, pas kësaj mungese të radhës, ngihen hipoteza nga më të ndryshmet, ku ajo që "vret" më tepër është sërish ndërhyrja e suedezëve. Këta të fundit do luajnë të premten dhe të martën tjetër ndeshjet Play-Off për Kupën e Botës ndaj Portugalisë dhe nuk është çudi që një kualifikim i mundshëm dhe një ftesë e federatës për në "Brazil 2014″ mund t’ia prishë sërish mendjen lojtarit shqiptar. /albeu.com/


Shtuar më 13/11/2013, ora 12:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori