UEFA "djeg" edhe "Ruzhdi Bizhutën" e "Niko Dovanën"
Pëlqej
Shqipëria nuk ka asnjë stadium të përshtatshëm për Kombëtaren shqiptare dhe ndeshjet në Kupat e Europës, nga turet e dyta e më lart. Sipas informacioneve nga Federata Shqiptare e Futbollit, UEFA pat dërguar në Shqipëri inspektorë për të parë gjendjen në të cilën ndodhen aktualisht stadiumet tona dhe nga inspektimet në "Qemal Stafa", "Loro Boriçi", "Ruzhdi Bizhuta" dhe "Niko Dovana" dolën në konkluzion se asnjëri prej tyre nuk mund t’i përafrohet kritereve të vëna nga UEFA për ndeshje ndërkombëtare.

UEFA i ka mbyllur sytë për vite me radhë për "Qemal Stafën", duke lejuar që aty të luhen ndeshje ndërkombëtare, si të klubeve (në Kupat e Europës) dhe Kombëtares. Por, inspektori i deleguar i qeverisë së futbollit europian ka theksuar se në këtë impiant nuk mund të luhen më ndeshje të tilla, të paktën jo pa iu nënshtruar një rikonstruksioni gati total (dhoma të zhveshjes, shkallë, zona VIP, zona e mediave dhe tapeti i fushës).


Edhe "Loro Boriçi" është jashtë çdo standardi që kërkon UEFA, pasi nuk plotëson as kushtet më minimale në të ashtuquajturën tribuna VIP, atë të gazetarëve dhe ca më pak në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë ka probleme edhe me rrethimin. Sakaq janë vënë detyra për "Ruzhdi Bizhutën" dhe "Niko Dovanën".

Në Elbasan mund të luhet aktualisht vetëm për ndeshje të kombëtareve të moshave, por për Kombëtaren e madhe dhe klubet në Kupat e Europës do duhet me patjetër të ndërhyhet në rikonstruksion të ambienteve të brendshme dhe me një rrethim sigurie. Ndërsa në Durrës mund të luhen ndeshje të kombëtareve të moshave dhe takimeve të para në klubeve në Kupat e Europës, por për Kombëtaren e madhe duhet që të bëhen punime shtesë në ambiente të brendshme, në tribunën VIP, atë të gazetarëve, si dhe në sigurinë e impiantit. Kështu,


Kombëtarja shqiptare rrezikon (për të mos thënë që është pa stadium), që të mos luajë asnjë ndeshje miqësore dhe kualifikuese për Europianin 2016 në Shqipëri. Deri para pak kohësh u fol se pasi të niste prishja e stadiumit "Qemal Stafa", federata dhe shteti shqiptar ose qeverisja vendore (bashkitë) do të ndërhynin në rikonstruksionin e stadiumit "Loro Boriçi" të qytetit të Shkodrës, me qëllim që aty të mund të luante edhe Kombëtarja, por burokracitë e shumta, si dhe një lloj tërheqjeje e qeverisë aktuale shqiptare, ka lënë gjithçka pezull.


Pra, aktualisht Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një stadium që të paktën t’u përafrohet standardeve që kërkon UEFA, por edhe pse këtë gjë e di fort mirë, si FSHF-ja, edhe shteti shqiptar, fakt është se nuk është ndërmarrë asnjë nismë, çka të bën të besosh se për takimet e radhës Kombëtarja shqiptare do duhet të gjejë një stadium jashtë kufijve. Ndërkohë, kujtojmë që këtë të premte pritet të zhvillohet tenderi për stadiumin "Qemal Stafa".

Sipas asaj që ka programuar FSHF-ja, më 22 nëntor kompania franceze e konsulencës do të përzgjedhë përfundimisht edhe fituesin, pra kompaninë që do të merret me ndërtimin e këtij impianti. /albeu.com/



Shtuar më 21/11/2013, ora 12:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori