UEFA në Tiranë për trukimet dhe stadiumin
Trukimet në futbollin shqiptar e kanë detyruar UEFA-n që të zbarkojë në kryeqytetin shqiptar me një delegacion të nivelit të lartë, të kryesuar nga zëvendëssekretari i Përgjithshëm, Teodoros Teodoridhis. Qeveria e futbollit europian, nisur nga problematika që ka shfaqur vitet e fundit futbolli ynë, i dyshuar në mjaft raste për fiksim rezultatesh, ka kërkuar që të japë sinjale të qarta karshi drejtuesve të klubeve shqiptare dhe FSHF-së, duke dërguar në Shqipëri një personalitet, i konsideruar si numri 3 i UEFA-s, pas presidentit Michel Platini dhe sekretarit të Përgjithshëm, Gianni Infantino.

Zv/sekretari Teodoridhis ka programuar një takim me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, dhe në orën 11:00 do t’i drejtohet zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Tema kryesore e takimit do të jetë pikërisht lufta kundër trukimeve. Sipas informacioneve, pritet që Teodoridhis t’i ofrojë Prokurorisë të gjithë asistencën e nevojshme për të luftuar trukimet në futbollin shqiptar.

Kujtojmë që UEFA e monitoron çdo javë kampionatin tonë, ashtu sikundër edhe kampionatet e tjera, dhe nxjerr konkluzione në lidhje me anomalitë (nëse ka të tilla) në thuajse të gjitha ndeshjet që zhvillohen. Ndonëse këtë vit, si rrallë ndonjëherë, UEFA nuk ka dërguar dosje me ndeshje të dyshuara si të trukuara, nuk përjashtohet mundësia që ky takim të jetë edhe si një "dosje" me vete për ndeshjet e sezonit të fundit dhe aktualit.

Kujtojmë që edhe në 2011-ën UEFA dërgoi ekspertin e saj, i cili lidhi edhe një marrëveshje mes Prokurorisë, UEFA-s dhe FSHF-së për trukimet, por deri tani nuk është parë asnjë rezultat.


Ndërkohë, para takimit në Prokurori, në orën 10:00 Teodoridhis ka programuar një vizitë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ku do të takohet me ministren Lindita Nikolli. Tema kryesore do të përqendrohet te prishja dhe rindërtimi i stadiumit të ri. Siç dihet, në bazë të marrëveshjes, FSHF-ja ka 75% të aksioneve, ndërsa qeveria shqiptare 25%, por nëse federata ka qenë e gatshme që të startojë me punën për ndërtimin e stadiumit, nuk është parë i njëjti vullnet nga ana e qeverisë. Madje, kryeministri Edi Rama jo më larg se një muaj më parë pat deklaruar se ndërtimi i një stadiumi të ri në kohë krize ishte thuajse i pamundur.

Pikërisht për këtë arsye, UEFA kërkon t’i bëjë të qartë shtetit shqiptar se pa një stadium të ri Kombëtarja rrezikon të mos luajë asnjë ndeshje në Shqipëri. /albeu.com/


Shtuar më 21/11/2013, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori