UEFA: Shqipëria, skuadra e javës (FOTO LAJM)

Skuadra: SHQIPËRIA
Pëlqej
Shqipëria, sensacioni i javës futbollistike. Këtë herë titulli nuk gazetaresk, por evidentim i një faqeje që konstaton në mënyrën më të paanshme të mundshme, asaj të UEFA-s. Artikullin, "Pick of the week", zgjedhja e javës në futboll ku kalohet në revistë raundi i parë i eleminatoreve "France 2016", në faqen zyrtare të qeverisë së futbollit europian, fillon pikërisht me Shqipërinë që konsiderohet si "Skuadra e Javës".

Nuk është pak apo jo, madje një titull i tillë do të ishte konsideruar guxim i tepruar, apo jashtë realitetit i shkruar nga një dorë shqiptare, por ja që dicka të tillë e bën UEFA, që e argumenton këtë përzgjedhje me suksesin e papritur të Shqipërisë që nuk ngurron ta etiketojë si një fitore sensacionale, madje duke sjellë dhe deklaratat e shkurtra të kapitenit Lorik Cana apo trajnerit Gianni De Biasi, natyrisht pa harruar golin spektakolar të Bekim Balajt.

Fitorja e kuqezinjve në Aveiro konsiderohet si surpiza më e madhe e një jave ku befasitë nuk munguan në shumë prej ndeshjeve të luajtura. Për të vijuar më tej me panoramën e javës futbollistike të UEFA-s, si lojtari i javës është përzgjedhur Danny Welbeck i Anglisë, me blerjen më të re të Arsenalit që vendosi me dygolëshin e tij fitorjen e "Tre Luanëve" në Zvicër.

Mposht Bekim Balajn për golin më të bukur të javës, Aiden McGeady i Republikës së Irlandës me golin që i dha fitoren skuadrës së tij në skadimin e kohës së rregullt ndaj Gjeorgjisë. Si moment për tu vënë në dukje spikat përfundimi i pritjes prej plot 926 minutash pa gol të Qipros në ndeshjen me Bosnjën, ndërsa si ndeshja e javës vlerësohet ajo mes Republikës Çeke me Holandën.

Të gjitha detaje të rëndësishme, por padyshim për shqiptarët, jo aq sa fakti që Kombëtarja jonë këtë herë është skuadra që kryeson, edhe në vlerësimin mediatik të UEFA-s. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2014, ora 16:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori