UEFA zyrtarizon formatin e Ligës së Kombeve, zbuloni cfarë "peshkoi" Shqipëria
Pëlqej
UEFA ka zyrtarizuar formatin përfundimtar të Ligës së Kombeve, me Shqipërinë që do të jetë e pozicionuar në Divizionin C. Mbyllja e kualifikueseve, Konfederata Europiane e Futbollit konfirmoi pozicionimin e skuadrave për turneun më të ri që do të startojë në vitin 2018.

Në bazë të koeficientit, Shqipëria e sheh veten në Divizionin C, aty ku në shortin e 24 Janarit të ardhshëm në Luzanë do të jetë në vazon e dytë, raporton SuperSport. Kjo bën që të evitohen sfidat e nxehta me Greqinë dhe Serbinë, ndërsa evitohet edhe përballja me Norvegjinë.

Përsa i takon skuadrave që cilësohen koka-serie, rivalët e mundshëm në vazon e parë janë Hungaria, Rumania, Skocia dhe Sllovenia. Nga rivalët më të dobët në letër, kuqezinjtë mund të përballen me Malin e Zi, Izraelin, Bullgarinë dhe Finlandën në vazon e tretë, ndërsavazon e katërt pozicionohen Qipro, Estonia dhe Lituania.

Në bazë të shortit, ekipet do të ndahen në një grup me tre skuadra dhe tre grupe me nga katër. Katër fituesit e grupeve do të fitojnë të drejtën të ngjiten në Divizionin B në edicionin e vitit 2020, ndërsa katër ekipet e vendeve të fundit zbresin në Divizionin D.

Skema e turneut të ri parashikon gjithashtu që në rast se katër skuadrat fituese të grupeve nuk arrijnë të sigurojnë një vend në Europianin 2020 nëpërmjet kualifikueseve, ato do të luajnë shansin në ndeshjet “play-off” ku në lojë është një “biletë” drejt evenimentit.

Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjet e javës së parë në grupe luhen nga data 6 deri më 8 Shtator 2018, ndërsa sfidat do të mbyllen në harkun e tre muajve, me ndeshjet e javës së gjashtë që do të luhen nga data 18 deri më 20 Nëntor 2018. Grupet me nga tre skuadra do të luajnë vetëm 4 nga gjashtë datat e përcaktuara.
Shtuar më 11/10/2017, ora 13:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori