Vazhdojmë të besojmë
"Unë besoj në Botëror". Kjo ka qënë fjalia më e përdorur gjatë këtyre ditëve. Në çdo rreth shoqëror, familje, kafe apo rrjete sociale kjo ka qënë fjalia e çdo shqiptari. Një ëndërr dikur por që sot është shndërruar në një realitet. Kombëtarja jonë për herë të parë gjatë dekadave të fundit është pretendente serioze për të qënë pjesë e finaleve të një Botërori, çka do të përbënte një arritje për futbollin shqiptar dhe jo vetëm.

E prisnim me ankth dhe shumë dëshirë një fitore përballë Norvegjisë, e cila do të na i shtonte shanset në Grupin E dhe prania e mijëra shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe e gjithë Diaspora në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" por edhe në rrugët e Tiranës tregonte se ne shpresojmë dhe besojmë në një kualifikim historik.

Dhe gjithçka nisi në mënyrën më të mirë të mundshme: stadium i mbushur mbi kapacitetin maksimal, atmosferë elektrizuese dhe gol që në pjesën e parë. "Qemal Stafa" në festë por që si gjithmonë zbehet në fundin e ndeshjes. Nordikët arritën të barazonin tre minuta para fundit duke bërë të heshtnin mijërat tifozët kuqezinj.

Por pavarësisht kësaj ne duhet të vazhdojmë të besojmë. Shqipëria ruan ende vendin e dytë edhe falë disfatës 2-4 të Islandës përballë Sllovenisë duke bërë që "luftës" për kualifikim në grupin tonë ti shtohen 4 ekipe: Zvicra 11, Shqipëria 10, Islanda 9 dhe Norvegjia 8 pikë.

Ndeshja e rradhës për djemtë e Gianni De Biasit është transferta e Sllovenisë më 6 shtator, ndeshje shumë delikatte dhe e rëndësishme për Kombëtaren tonë ndaj dhe të vazhdojmë ta mbështesim. Nuk duhet të tregohemi euforik vetëm në fitore por edhe barazime dhe humbje. Ndaj të përsërisim së bashku "Unë vazhdoj të besoj". /albeu.com/



Shtuar më 08/06/2013, ora 11:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori