Vendi i dytë, ja pse Shqipëria ka ende shpresa
Edhe pse humbja ndaj Sllovenisë ishte një hap pas në garën për vendin e dytë të grupit, shanset e kuqezinjve të De Biazit për një pozicionim historik janë ende të mëdha. Aktualisht ndodhen vetëm një pikë larg skuadrës që renditet e dyta, Norvegjia. Në rast barazimi me pikë me nordikët në fund të kualifikueseve, Shqipëria ka avantazh ndeshjet direkte dhe e fiton atë pozicion. Ndeshja ndaj Islandës do të jetë më decizivja sa i përket fatit, ku një fitore në transfertë do konsolidonte ndjeshëm pozitat si pretendente kryesore për t’u klasifikuar pas Zvicrës.

Ndërkohë që Norvegjia, përveçse ka një ndeshje të vështirë në Slloveni, do të luajë një duel direkt me Islandën në përballjen e fundit të grupit, prej së cilës mund të përfitojë kombëtarja kuqezi.

Sa u përket sllovenëve, shanset e tyre janë më të pakta në letër, pasi (përveç transfertës me Qipron) i presin dy "finale" kundër norvegjezëve dhe Zvicrës.

Për Shqipërinë, një fitore në Islandë e bën favorite për vendin e dytë, edhe pse logjikisht duhet të fitojë minimalisht edhe tri pikë në dy përballjet pasardhëse. Ndërkohë, në rast barazimi ndaj ishullorëve, përveç një fitoreje të mundshme kundër Qipros, do të ishte e domosdoshme që të shmangej humbja kundër Zvicrës. /albeu.com/



Shtuar më 07/09/2013, ora 13:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori