Xhaka: I kam thënë menjëherë po Shqipërisë
Pëlqej
Sfida ndaj Portugalisë mund të sjellë debutimin e mbrojtësit Taulant Xhaka me fanellën e kombëtares Shqiptare. 23-vjeçari që aktivizohet me Basel është grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë, dhe nga La Coruna në një intervistë telefonike për "Sport News" ka rrëfyer emocionet e para të aventurës në grupin e drejtuar nga Gianni De Biasi.

"Ndihem mirë, të gjithë më kanë pritur shumë mirë", shprehet vëllai i Granit Xhakës.

Pak ditë më parë mediat zvicerane shkruanin se zgjedhja e Taulantit erdhi si mungesë e ftesës së përfaqësueses Zvicerane në drejtim të tij, por vetë mbrojtësi reagon mbi këtë fakt, duke theksuar se në mendjen e tij opsioni i vetëm ishte kombëtarja Shqiptare.

"Nuk është e vërtetë, dëshiroja të luaja vetëm për Shqipërinë. Gashi më ka thënë fjalët më të mira dhe skam pas kohë me menduar. I kam thënë menjëherë po Shqipërisë", ka thënë Xhaka.

Debutimi i Taulant Xhakës me fanellën kuqezi pritet të ndodhë në një sfidë shumë të vështirë, përballë Portugalisë. Futbollisti i lindur në Basel ende nuk e di nëse do të zbresë në fushë të dielën, por premton se do japë maksimumin.

"Trajneri cakton formacionin dhe nëse luaj do të jap maksimumin. Dashtë zoti marrim 3 pikët por do të kënaqemi edhe me një pikë", vijoi Taulanti.

Tek luzitanlt mungon Cristiano Ronaldo, dhe për mbrojtësin Xhaka ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi shanset për të marrë rezultat pozitiv rriten ndjeshëm.

"Më mirë që s’luan Ronaldo pasi ai është futbollisti më i mirë në botë. Në këtë mënyrë kemi më shumë shanse për të dalë me pikë nga kjo ndeshje", përfundon intervistën e tij Taulant Xhaka. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2014, ora 11:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori