"Xhamadani vija-vija", Himni i Kombëtares dhe De Biasit (VIDEO)
Pëlqej
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll merr frymë nën kolonën zanore që promovon bashkimin kombëtar. Dy shkodranë do ta shkruanin dhe kompozonin më 1993 për një këngëtare popullore kosovare. Dyvargëshi "xhamadani vija-vija/është Kosova, është Shqipnia" jehonte fuqishëm më 2002 në stadiumin e Prishtinës në ndeshjen miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Dhe 10 vjet më vonë, italiani Gianni de Biasi, pak ditë pasi mori drejtimin e Përfaqësueses shqiptare, e shpalli himn të Kombëtares.

Por vendimi i italianit vetëm sa konfirmonte diçka që dihej prej kohësh. Kënga tashmë ishte himn jozyrtar i Kombëtares shqiptarefutboll. Asnjë këngë nuk dëgjohet edhe sot e kësaj dite as përafërsisht sa "Xhamadani" kur zhvillon ndeshje Shqipëria. Njëzëri e këndojnë tifozët "KuqeZi" dhe lojtarët. E ka kënduar edhe vetë italiani De Biasi. Me këtë këngë paralajmërohen ndeshjet, ngrihet morali i lojtarëve, kallet atmosfera në tribuna dhe festohen sukseset.

Në të vërtetë, autorë të këngës janë kompozitori Zef Çoba dhe poeti Alfred Çapaliku, e Shkurte Fejza do ta këndonte e para, përpara se të përpunohej më 1997 nga grupi kosovar "Ilirët". Versioni i frontmenit Shemsi Krasniqi–Shemi ka marrë në YouTube afro 3 milionë klikime. Më pas ai solli edhe këngën: "Oj Kosovë, ty t’kam hajmali", me shpresën se do të bëhej himn i tifozerisë së Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Por ajo jo vetëm që nuk u dëgjua asnjëherë të këndohej nga "Dardanët", por në YouTube nuk ka arritur të mbledhë as 8 mijë klikime… /albeu.com/
Shtuar më 02/11/2014, ora 14:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori