Afron ndeshja Maqedoni - Kosovë, trajneri kundërshtar komenton pikat e forta të "Dardanëve"
Trajneri i ekipit kombëtar të Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, është i vetëdijshëm se skuadra e tij mund ta pësojë më së shumti nga reparti i mbrojtjes i Kosovës, në ndeshjen gjysmëfinale të play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Kosova e Bernard Challandes e humbi shansin e parë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, pasi nuk arriti të zërë vendin e parë apo të dytë në Grupin A, duke mbetur e treta, pas Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, Verdhekaltrit e kanë edhe një mundësi të dytë për ta zënë një vend në EURO 2020 – përmes fazës së play-offs kualifikues për Evropian, ku e zuri një vend pasi e fitoi Grupin D3 të Ligës së Kombeve.

"Dardanët" e drejtuar nga Bernard Challandes do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut më 26 mars, në orën 20:45, për ndeshjen gjysmëfinale të play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020. Fituesi i kësaj përballjeje më pas do të përballet me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në finale të play-offs.

Trajneri i Maqedonisë së Veriut i ka filluar përgatitjet për këtë ndeshje tani që kanë mbetur vetëm edhe një muaj deri atëherë dhe ai është shprehur i vetëdijshëm për cilësinë e lotjarëve si Vedat Muriqi, Milot Rashica e Amir Rrahmani.

"Kosova është një ekip i fortë, me lojtarë të dëshmuar si Muriqi, Rashica, Rrahmani e disa të tjerë. Natyrisht, rreziku më i madh te Kosova mund të vijë nga reparti i sulmit, pasi Muriqi dhe Rashica këtë edicion kanë treguar paraqitje të mira, duke u shndërruar në lojtarë të rëndësishëm tek ekipet që luajnë", ka thënë Angelovski, në një intervistë të dhënë për "Koha Ditore".

"Së fundi e kam përcjell nga afër Muriqin në ndeshjen që Fenerbahçe e luajti kundër Bashakshehirit në kampionatin e Turqisë, pasi dua që të jemi të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në fazën e përcjelljes së lojtarëve të të dyja ekipeve, pasi ka mbetur edhe një muaj deri te përballja që është historike – si për ne, ashtu edhe për Kosovën", ka shtuar ai.
Shtuar më 26/02/2020, ora 12:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori