Behrami kundër të gjithëve: Ky është pseudo futbolli botëror, gjithçka fasadë dhe maskaradë
Një intervistë e pa zbukuruar, e hapur, e sinqertë, pavarësisht së godet fort. Kështu është Valon Behrami, i cili nuk i “bluan” fjalët. Thotë menjëherë atë që mendon sot për trajnerin e kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkovic, por jo vetëm.

Valon Behrami, ku jetoni aktualisht?

Në hotel këtu.

Me Lara (gruan)?

Po, me Lara.

Pra, keni në dispozicion suitën e vetme të “La Porte d’Octodure”?

Po.

Sidoqoftë, është një hotel më i vjetër se vitet ’80. A mjafton ky për kërkesat tuaja?

Ky nuk është problemi. Kam mjaftueshëm intimitet, por nuk mund të gatuaj gjërat që dëshiroj. Sidoqoftë, në përgjithësi është e njëjta gjë me një hotel të madh me pesë yje, kur isha në Romë. Është normale që në një përvojë të re futbolli, së pari duhet të kalosh disa muaj në një hotel. E rëndësishme është se jemi bashkë me Lara dhe mund ta mbështesin njëri-tjetrin.

A nuk keni gjetur ende një banesë?

Po, gjetëm një shtëpi në Sion, por nuk do të jetë gati për dy, ose tri javë të tjera.

A ju tronditi infrastruktura e trajnimit që gjetët në Martigny?

Ju duhet të mësoheni me të. Sigurisht që mund të ishte më e mirë, por e dija si janë gjërat këtu. Kësisoji, përpiqem të përqendrohem në ato gjëra që mund të ndikoj. Nuk mund të vij këtu dhe të them: Dua një palestër të re, një garderobë të re. Në një muaj do të marrim qendrën tonë të re sportive. Nëse më pyesni: A ju pëlqejnë objektet e trajnimit këtu, atëherë më duhet t’ju përgjigjem: Jo, nuk më pëlqejnë ato.

Dhe çfarë mendoni për shokët tuaj të rinj?

Ka cilësi në ekip. Ka djem të talentuar, që duan të afirmohen. Kemi ende shumë punë taktike për të bërë. Patjetër, ka lojtarë që mund të bëjnë ndryshimin.

Si Pajtim Kasami, i cili dëshironte të largohej. A e bindët ju të qëndronte?

Unë vetëm e këshillova që të qëndrojë i qetë, të punojë mirë dhe të mos bëjë asnjë reagim që mund të dëmtojë ekipin. Ai e bëri këtë në mënyrë të përsosur. Kjo ka rëndësi. Kjo do të mbahet mend. Edhe në dy javët e fundit, në të cilat qëndroi si zëvendësues, ishte shembullor.

Trajneri Stéphane Henchoz tha se Behrami normalisht do të ishte kapiten, por ende Xavier Kouassi e ka shiritin në krah. Kjo, sepse ti nuk e deshe?

Biseduam, trajneri dhe unë. Duke respektuar lojtarët që kanë qenë këtu, por edhe klubin, duke qenë i ri këtu, i thashë trajnerit: Mbaje gjithçka siç ishte. Të qenit kapiten nuk ka qenë kurrë pjesë e rëndësishme për mua. Shumë lojtarë duan ta marrin shiritin sot, unë jo. Për më tepër, kjo do të shkaktonte tension të panevojshëm, gjë për të cilën ne vërtet nuk kemi nevojë. Ne duhet të përqëndrohemi në gjërat më të rëndësishme.

Lara dhe ju vendosët në fund të tetorit të hiqni dorë nga të gjitha platformat e rrjeteve sociale. Si është jeta pa Instagram dhe të tjera?

Ky ishte një vendim i madh. E dini çfarë tregojnë njerëzit në rrjetet sociale? Vetëm gjërat pozitive. Nuk tregojnë asgjë, kur gjërat iu shkojnë keq. Platformat kanë krijuar një numër të madh problemesh. Ju ndani me ndjekësit një foto në plazh. Ai që e sheh atë është i ulur në shtëpi. Edhe ai, gjithashtu, do të donte të ishte në plazh. Edhe unë duhet të shkoja atje, kështu mendoj. Pra, gjithmonë jeni duke kërkuar gjëra, që nuk janë reale. Rrjetet sociale nuk janë realiteti. Atjo janë të shkëputura nga jeta reale. Jo për shkak të Instagramit, por çfarë publikohet aty është më së shumti e rreme. Në Twitter mund të shihni gjëra interesante. Të reja. Ju mund të zbuloni se çfarë po ndodh në botë.

Çfarë mendoni kur shihni kolegët tuaj më të rinj, që varen vazhdimisht nga celularët e tyre?

Nuk mund të jem i vjetri, duke iu thënë: Hej, mos e bëni atë! Unë vetëm i shikoj dhe pyes veten: pse janë ashtu? Pse duhet ta kontrollosh celularin çdo dy sekonda? Më krijohet përshtypja se diçka mungon në jetën e tyre. Për mua, ky është një sinjal se dikush ka nevojë të flasë me dikë. Kur jam në shtëpi me gruan dhe fëmijët, e harroj plotësisht telefonin. Nuk më mungon asgjë. Kur isha ende i lidhur me telefonin, kjo do të thoshte se isha i vetmuar. Celulari më duhet kur Lara ndodhet në Argjentinë për dy javë, për të qenë në kontakt me të. Ose me fëmijët e mi, kur nuk janë aty.

Pra, do t’ua ndalni rrjetet sociale fëmijëve tuaj?

Unë dua të jem modeli për ta, por nuk kam të drejtë t’iu them: Mos hyni në Instagram, mos hyni në Twitter! Shpresoj që ata të pranojnë stilin e jetës që kemi zgjedhur. Nuk kemi pse të tregojmë asgjë në rrjetet sociale. Tani jetojmë jetën e vërtetë, më të thjeshtë.

Dhe kështu, tani paparacët duhet të bëjnë fotografi tuajën dhe Lara, sepse nuk do të gjejnë gjithçka në një “tabaka argjendi”, në internet, si më parë…

Kjo e bën situatën më interesante, apo jo? Jam i sigurt, në një moment kjo do të ndalet. Bota është e përmbytur me informacion. Nuk mund ta përzgjedhësh më. A e lexoni një artikull të plotë? Jo. Vetëm titujt. Ky është niveli sot. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse jeta ka më shumë për të ofruar, sesa titujt bombastikë, goditës. Nuk harxhoj kohë për të lexuar, vetëm kur shoh diçka interesante. Po kush tjetër e bën atë? Dhe çfarë ndodh, nëse fotografojmë dhe bëjmë publike çdo gjë e çdo ditë? Një ditë njerëzit nuk do të mund ta shohin Valon Behrami dhe Lara Gut, sepse janë të kudondodhur. Dhe si mund të kërkoni privaci, kur jeni çdo ditë në rrjetet sociale? Kjo nuk funksionon.

Si është jeta këtu, e qetë? A flet me njerezit?

Dalim shumë shpesh. Për momentin hamë në restorante, sepse nuk kemi ende shtëpi. Nëse dikush ma kërkon, nuk kam asnjë problem për një “selfie”, kur jam duke pirë kafe. Sidoqoftë, preferoj të jem i qetë.

Jua kërkojnë këtë më shpesh sesa herën e fundit në Udine?

Po. Udine është një qytet shumë i qetë. E diela është “matchday”. Pjesa tjetër e javës është e qetë. Mos harroni se në Valais bëhet ski dhe tifozët e futbollit shpërthejnë.

A keni me të vërtetë keqardhje për largimin tuaj nga kombëtarja e Zvicrës?

Sigurisht, kam pritur një lloj largimi tjetër. Duhet të kishte qenë kështu, duke bërë një intervistë dhe duke i thënë gazetarit: Faleminderit për gjithçka, por tani është e mjaftueshme, unë po tërhiqem nga kombëtarja. Kjo do të kishte qenë shumë e lehtë. Unë e kisha këtë ide pas Kampionatit Europian në Francë, më 2016, por isha aq i lumtur në këtë ekip, pata aq shumë argëtim, sa i shtova edhe dy vite. Pra, nëse trajneri do të kishte ardhur tek unë dhe do të më thoshte: dëgjo Valon, le ta ndryshojmë grupin. Unë do t’i thoja: Nuk ka problem, po iki, por ju lutem, do ta njoftoj këtë. Pas 12 vitesh, gjatë të cilëve dhashë gjithçkanë në kombëtare, jam i sigurt se kam të drejtë ta bëj këtë.

A ia thatë këto Vladimir Petkoviç?

Po, në tre minutat që kemi biseduar së bashku.

A ishin me të vërtetë vetëm tre minuta?

Ndoshta tre minuta dhe 20 sekonda…

Si ju përgjigj ai?

Ai tha, Valon, nuk është e nevojshme që ju ta jepni këtë intervistë. Është vetëm një ndryshim gjeneratash. Po cili u zhduk nga kombëtarja? Blerimi dhe unë. Askush tjetër. Ky nuk është ndryshim i gjeneratës. Sidomos pasi trajneri më pyeti pas Kupës së Botës, nëse dua të vazhdoj. Unë i thashë po dhe i njoftova gazetarët për këtë. Tri javë më vonë, gjithçka ishte ndryshe. Nuk e di se çfarë ndodhi gjatë kësaj kohe.

Pas kësaj, ju menjëherë shkuat në “Ticino TV”. Pse?

Kjo ishte instiktive. U kritikova për këtë, por kam dashur të shpreh zhgënjimin dhe të tregoj të vërtetën time.

Çfarë raporti keni pasur me Petkoviç?

Ishim shumë të afërt. Kemi folur për gjithçka. Ai kishte besim tek unë dhe anasjelltas. Dhe pastaj më telefonon dhe më thotë: Unë nuk të grumbulloj më. Pse, ky është futbolli? Dhe kjo është arsyeja, pse nuk i besoj më askujt tjetër. Nuk më pëlqen ta them këtë, por është kështu. Jam bërë kështu për shkak të këtij zhgënjimi. Tani jam mosbesues edhe në jetën normale. Për fat të keq. Kjo nuk është e bukur, por nuk kam besim tek askush. Jeta është familja juaj, njerëzit që keni përreth jush. Kishte aq shumë njerëz përreth meje në futboll, sa thjesht donin të përfitonin, ndaj e humba besimin.

Ky është pseudo futbolli botëror, gjithçka fasadë dhe maskaradë?

Kjo nuk ndodh vetëm në futboll, por edhe në rrjetet sociale. Njerëzit thonë: Unë jam i lumtur për ju! Po si mund të mendojnë se jam i lumtur, kur dikush është përpara meje? Unë kam punuar si i çmendur gjatë gjithë javës dhe e kam humbur fundjavën…, si mund të jem i lumtur. Më vjen keq, kjo është e rreme.

Sa ia vlen të lexosh intervista futbollistësh këto kohë?

Me siguri, shumë pak! Pothuajse asnjë! Sepse futbollisti nuk mund të jetë ai që është. Përndryshe ai do të ketë probleme ditën tjetër. Pra, të gjithë thonë të njëjtën gjë, mbesin gjithmonë brenda kornizës së normales. Dhe kështu, ata nuk kanë asnjë problem ditën tjetër. Gazetari pastaj mund të shkruajë edhe një herë të njëjtën intervistë, që mund të ketë shkruar një mijë herë. Me të njëjtën përmbajtje. Ne nuk kemi guximin të tregojmë se si jemi vërtet. Kjo është për të ardhur keq për ju, gazetarët. Kjo është shumë e keqe edhe për ne, futbollistët. Megjithatë, kjo është shoqëria. Unë, nga ana tjetër, ndjehem i lirë të them atë që mendoj vërtet. Mund të them atë që mendoj. Kjo është edhe më interesante për mua. Unë kam arritur në fund të karrierës, nuk kam pse shqetësohem për atë që ndodh, kur them diçka. Nuk e di se çfarë ndodh pas një interviste, gjithsesi, sepse nuk lexoj gazeta.

Pra, nuk e keni parë kurrë Vladimir Petkoviç përsëri, edhe pse të dy keni jetuar në Ticino, vetëm disa kilometra larg?

Jo, kurrë. Nuk më takon mua të bëj një ndryshim të drejtimit. Unë eci vetëm drejt.

A keni menduar ndonjëherë se largimi juaj nga kombëtarja kishte arsye të tjera? Se trajneri nuk e pranonte faktin që Lara ishte gjithmonë në hotelin e ekipit? Gjithashtu, katër orë para fillimit të një ndeshje të Kupës së Botës…

Kishte edhe gra të tjera të lojtarëve, jo vetëm Lara. Të gjitha morën biletat e ndeshjes. Edhe prindërit e mi ishin aty. Nëse ky ishte problemi, pse trajneri nuk e adresoi atë? Mund të flasësh për të dhe pastaj ta ndryshosh situatën. Nuk ishte ky problemi. Unë isha në formacionin fillestar. Është pak qesharake të flasësh për këtë, por unë e kuptoj pse dalin kësi fjalësh. Unë isha shumë i lumtur, që Lara ishte aty, sepse përvoja e një Kupe Bote është unike. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’ju ndodhë në jetën tuaj futbollistike.

Cili është vlerësimi juaj për Vladimir Petkoviç sot?

Një trajner i shkëlqyeshëm, teknikisht.

Vetëm teknikisht?

Nuk dua të kem njerëz të tillë në jetën time. Nuk dua të kem më lidhje me atë. Unë dua njerëz që janë të ndryshëm, ata që janë të guximshëm. Për fat të mirë nuk kam pse të punoj me të. Jo më.

Pra, ka humbur respekti?

Ai ndikoi që kjo të ndodhte. Siç thashë, ne i besuam njëri-tjetrit. Dhe pastaj hodhi gjithçka poshtë në tre minuta. Mund të ishim ulur në një tryezë, mund të pinim kafe…, 20 minuta. Kjo do të kishte qenë e lehtë dhe në rregull. Kështu që unë shoh tek ai vetëm trajnerin e mirë. Si njeri më ka zhgënjyer.

(* Emri Vladimir Petkovic, asnjëherë nuk ka dalë nga goja e Valon Behramit në të gjithë intervistën)

Marrë nga “Blick”
Shtuar më 12/08/2019, ora 11:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori