E konfirmon Lala: Rashica në "radarët" e klubeve të mëdha Europiane
Altin Lala, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe tani menaxheri i yllit në rritje të ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashicës, ka konfirmuar se për talentin e Kosovës janë duke u interesuar klube të mëdha evropiane.

Anësori 22-vjeçar i ka shënuar 10 gola në 13 paraqitje në të gjitha garat në vitin 2019 për Werder Bremenin, duke e vulosur statusin si futbollisti më në formë i Kosovës dhe klubit të tij në katër muajt e fundit.

Ylli nga Vushtrria i ndihmoi Werderit të arrijë deri në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, para se të eliminohej nga Bayern Munich, duke i shënuar tri gola në katër paraqitje në këtë garë.

Lala, i cili i ka bërë 79 paraqitje me kombëtaren shqiptare gjatë karrierës së tij, e ka lartësuar klientin e tij, duke thënë se është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar në mënyrë që të luajë në një klub të madh evropian.

Gjatë një vizite në Kosovë këtë fundjavë, 43-vjeçari në një intervistë për Super Sport, ku foli për disa tema, tregoi edhe për interesimin e klubeve evropiane.

"Interesi i klubevemëdha? Futbolli është bërë shumë i shpejtë, Miloti ka tërhequr vëmendjen e klubevemëdha në Evropë. Ai duhet të përmirësohet në disa aspekte për të arritur nivelin më të lartë", tha Lala.

"A mund të ketë lëvizje? Nuk mund ta them 100%, futbolli është i paparashikueshëm, por edhe në Bremen ai ndihet shumë mirë dhe do të ishte mirë që të luante edhe një sezon".

"Klubet shohin shumë potencial te Miloti dhe shpresojmë që një ditë të arrijë majat".

Në total, Rashica deri më tani ka shënuar 11 gola për Werderin dhe ka dhuruar edhe 4 asistime në 27 paraqitje. Ai ka luajtur në të gjitha garat 1.571 minuta. /albeu.com/
Shtuar më 29/04/2019, ora 16:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori