Kosova niset drejt Çekisë për ndeshjen e parafundit në EURO 2020
Ekipi kombëtar i Kosovës është nisur për në Çeki, ku do ta zhvillojë ndeshjen që mund të jetë vendimtare për fatin e Kosovës drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në "Doosan Arena", do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve.

Për ta arritur këtë qëllim, “Dardanët” sot u nisën në Çeki, për ta zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Doosan Arena, ku të enjten zhvillohet ndeshja.
Shtuar më 13/11/2019, ora 11:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori