Kosova shënon fitoren e parë
Pëlqej
Përfaqësuesja e Kosovës më në fund e shënoi fitoren e parë të saj zyrtare, duke e mposhtur Omanin me rezultat 1-0 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Stadiumin e Prishtinës.

Edhe kësaj radhe, tifozë nga të gjitha qytet e Kosovës erdhën në stadiumin për ta përkrahur Kosovën drejt fitores së parë, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre ishte rreth 10,900.

Ndeshja filloi me një ritëm të ngadalshëm ku të dyja palët analizonin njëra tjetrën dhe prisnin ndonjë gabim eventual.

Ishte minuta e 22-të, kur talenti kosovar i Manchester Cityt, Bersant Celina, tentoi ta mposhtë portierin kundërshtar me një goditje dinake nga 20 metra, mirëpo topi përfundoi mbi portë.

Vetëm dy minuta më vonë, Celina kaloi tre kundërshtarë dhe pasoi topin te Kristian Nushi i vetmuar i cili goditi plogësht në portën e Omanit, duke lëshuar mundësinë më të mirë për Kosovën deri më tani.

Një minutë pa përfunduar pjesa e parë, ishte Al-Farsi që dërgoi një goditje të fuqishme nga zona në drejtim të portës kosovare, mirëpo Samir Ujkani ishte i vëmendshëm dhe e largoi në rivënie këndore.

Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, teksa përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, duhet të bëj ndonjë ndryshim në repartin ofanziv në pjesën e dytë nëse dëshiron që të shënojë ndonjë gol sot, për arsye se deri më tani sulmi ka qenë shumë i ngathët me Hasanin e vetmuar si sulmues qendror.

Pjesa e dytë filloi me një iniciativë të Omanit, të cilët tentonin të sulmonin më shumë nga krahët.

Celina edhe një herë me mjeshtërinë e tij dërgoi një pasim të bukur në zonë për Ardian Gashin, mirëpo ky i fundit u vonua dhe mbrojtja kundërshtare ia largoi topin nga këmbët.

Pak minuta më vonë, Al-Hadhri nuk arriti të shënojë gol i vetmuar përballë Ujkanit. Fat i madh për Kosovën.

Ishte minuta e 82-të, ajo që i solli shpresë Kosovës, kur Kushtrim Lushtaku goditi me të majtën direkt në portierin kundërshtar. Mirëpo, i njëjti lojtarë vetëm dy minuta më vonë tentoi të harkonte në zonë mirëpo mbrojtësi kundërshtar e preku topin me dorë dhe gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti.

Nga penalltia i saktë u tregua, Imran Bunjaku, i cili qëlloi në mes të portës për t’i dhënë golin e epërsisë përfaqësueses së Kosovës (85’)

Edhe Fanol Përdedaj rrezikoi portën kundërshtare me një harkim nga krahu i djathë, që për pak sa nuk e parabolloi portierin e Wigan Athletic.

Deri në fund të takimit nuk pati më raste tjera shënimi dhe kështu Kosova e shënoi fitoren e saj të parë zyrtare, duke i dërguar edhe një herë një sinjal botës se e meriton të pranohet sa më shpejtë zyrtarisht në të gjitha instancat më të larta botërore të futbollit.
Shtuar më 07/09/2014, ora 18:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori