Nga Bullgaria, Kosova nderon legjendën Vokrri
Nga Sofja ku ndodhet në prag të ndeshjes kualifikuese për EURO ndaj Bullgarisë, ekipi kombëtar i Kosovës e ka nderuar legjendën e futbollit shqiptar, ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, në njëvjetorin e vdekjes së tij.

Verdhekaltrit ndodhen në Sofje, ku të hënën do të përballen me Bullgarinë në ndeshjen e rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Yjet dardane e kanë përkujtuar Vokrrin, njeriun i cili ua bëri atyre të mundur përfaqësimin e Kosovës në garat ndërkombëtare, duke mbajtur një minutë heshtje në nderim të figurës së tij.

Ish Presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë u nda nga jeta një vit më parë, pas një sulmi kardiak, teksa ishte në palestër duke u stërvitur, ndërsa dha shpirt duke u transportuar për në spitalin e Prishtinës.

Në këtë ditë një vjet më parë, vendi e humbi njeriun më të rëndësishëm në historinë e sportit, atë që e krijoi Kombëtaren dardane dhe i bindi dy shtëpitë qeverisëse të futbollit botëror dhe evropian, FIFA-n dhe UEFA-n, ta pranojnë Kosovën në foletë e veta.

Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiq mëngjesin e 9 qershorit 2018, si pasojë e një sulmi në zemër.

I lindur në 1960-ën në Podujevë, Fadil Vokrri shënoi një karrierë sportive të shkëlqyer, si sulmues me skuadra si Prishtina, Partizani i Beogradit, Fenerbahce, etj., ndërsa veshi për 3 vite edhe fanellën e përfaqësueses së Jugosllavisë.

Më 16 Shkurt të 2008-ës, Fadil Vokrri u zgjodh President i Federatës Kosovare të Futbollit, post të cilin e mbajti deri në 9 qershorin e vitit të kaluar, kur edhe u nda nga jeta.

Edhe stadiumi i Prishtinës, i cili u inaugurua pak muaj pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, mori emrin Fadil Vokrri, në nderim të kontributit të paçmuar të këtij të fundit, në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në vend.
Shtuar më 09/06/2019, ora 12:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori