Rashica te Bayern?
Nëse Bayerni kërkon lojtarë të rinj dhe të talentuar, bën mirë të hedhë sytë nga Werder Bremeni.

Milot Rashica është një bast i mirë për të ardhmen. Kjo ishte këshilla e Ditmar Hammann për ekipin bavarez, pas performancës së shkëlqyer të sulmuesit shqiptar në ndeshjen e Kupës kundër Dortmundit.

Lojtari i Përfaqësueses së Kovovës ka kontratë me Werder Bremenin deri në vitin 2022, por me shumë mundësi ai do të largohet për një skuadër më të madhe duke qenë se performancat e tij këtë sezon kanë qenë të shkëlqyera.

Klubi gjerman i ka vendosur një klauzolë 38 milionë euro futbollistit shqiptar, por për ekipet si Bayerni apo Dortmundi ka një problem. Kjo klauzolë nuk është e vlefshme për ekipet e Bundesligës, por vetëm për skuadrat angleze, italiane, spanjolle dhe ato franceze.

Kjo do të thotë se për dy ekipet e sipërpërmendura ka një tjetër çmim, i cili mund të jetë më i lartë dhe i negociueshëm mes drejtuesve.Në këtë pikë, interesi i Werderit është që ta transferojë Rashicën te Bayerni i Mynihut ose te Dortmundi, sepse do të arkëtojë më shumë se 38 milionë euro (klauzola). Ata do ta vendosin vetë çmimin për lojtarin që e ka mahnitur Bundesligën.

Prej kohësh, Rashica është në vëmendjen e disa skuadrave të mëdha në Evropë, por ai ende nuk e ka bërë zgjedhjen e tij dhe vazhdon të jetë i përqendruar në maksimum për të mbyllur sa më mirë sezonin.Werderi është duke kaluar një moment negativ dhe renditet në zonën e ftohtë të renditjes duke rrezikuar seriozisht rënien një kategori më poshtë. Nëse ndodh kjo, atëherë Rashica do të largohet menjëherë dhe skuadrat e interesuara për të duhet të nxitojnë që të arrijnë ndonjë marrëveshje paraprake.
Shtuar më 19/02/2020, ora 20:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori