Rrëfimi prekës i Hadërgjonaj: Shokët e skuadrës ecnin nëpër male për të shpëtuar nga lufta
Kosova është një nga kombëtaret me ecurinë më të mirë në Europë, teksa nuk njeh humbje prej 15 ndeshjesh. Pikërisht ditën e djeshme arritën të mposhtin edhe Çekinë në stadiumin “Fadil Vokrri” më rezultatin 2-1.

Një nga lojtarët më të mirë ditën e djeshme ishte edhe Florent Hadërgjonaj, i cili se fundmi ka dhënë nëj intervistë të gjatë për “DailyMail”, ku është shprehur: “ Kur ulemi bisedojmë të gjithë lojtarët, nuk flasim vetëm për futbollin. Ne flasim edhe për kohën e luftës në vendin tonë, ata që nuk kanë qenë pjesë e saj dëgjojnë të tjerët që kanë qenë. Dëgjojmë nga shokët e skuadrës se ata ecnin nëpër male për të shpëtuar nga lufta, kur ata ishin fëmijë. Nuk kishin as ushqim asgjë, thjesht ecnin për 2 ose 3 ditë duke dëgjuar të shtënat e armëve rreth tyre. Është emocionuese, pasi ti e kupton me çfarë janë përballur familja dhe kushërinjtë e tu.”, tha mbrojtësi i majtë.

Hadergjonaj bëri debutimin e tij me Kosovën në ndeshjen me Bullgarinë, të cilën kosovarët e fituan me rezultatin 2-3, dhe shprehet se kombëtarja mund të tregojë fytyrën e mirë të vendit të tij: “Kombëtarja mund të tregojë fytyrën më të mirë të vendit tonë. Lojtarët tanë kanë lindur në vende të ndryshme, por të gjithë bashkohemi dhe tregojmë përformanca të mira. Dashuria për futbollin është e çmendur, teksa kur mundëm Bullgarinë, qindra tifozë qëndruan në aeroport deri në orën 3 të mëngjesit për të na përshëndetur dhe përgëzuar. Nëse ne shkojmë diku për të ngrënë ata nuk na lënë të paguajmë. Unë nuk mund ta imagjinoj dot se çfarë do të ndodhte, nëse ne kualifikohemi në Euro2020. “ theksoi lojtari.

Hadërgjonaj tregon edhe për kohët e vështira që është përballur familja e tij gjatë luftës: “Ishte e vështirë për prindërit e mi. Pjesa tjetër e familjes sonë po luftonte për jetën e tyre dhe ne nuk mund të bënim asgjë pasi ishim larguar drejt Zvicrës. Babai im ka kushërinj që ishin në luftë dhe u vranë. Kur kthehem në Kosovë tani, vizitoj të afërm, gra pa burrat e tyre dhe fëmijë dhe pa baballarët. Ndihem me fat që kam qenë në Zvicër. Ky shtet më dha gjithçka dhe më lejoi të bëhesha futbollist.”, u shpreh 25-vjeçari.

Mbrojtësi i majtë ishte pjesë e Zvicrës por më pas vendosi të largohej dhe të bashkohej me Kosovën: “Ishte e vështirë për të vendosur. Zvicra u dha prindërve të mi një jetë më të mirë por unë gjithashtu kisha një familje që luftoi për një vend që tani po rritet. Në fund, bëra atë që ndjeja përbrenda. Unë fola me ndershmëri me Federatën e Futbollit të Zvicrës dhe jam mirënjohës që ata e kuptuan dhe nuk e bënë më të vështirë për mua. “, tha Hadërgjonaj.

Në datën 10 shtator Kosova do të përballet me Anglinë si mysafire, ndeshje për të cilën lojtari shprehet: “ Anglia ka lojtarë të shkëlqyeshëm. Ata duken të rrezikshëm nga TV, por dua t’iu them se është akoma më e vështirë kundër tyre në fushën e lojës. Kosovarët do të vijnë nga çdo vend në këtë ndeshje, për të na mbështetur.”, përfundoi mbrojtësi i Hadersfildit.

Shtuar më 08/09/2019, ora 16:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori