Skuadra e Florent Hadërgjonaj bie nga Premier League 2 muaj para mbarimit të kampionatit
Klubi i Florent Hadërgjonajt, Huddersfield Town, e ka siguruar rënien nga Premierliga, edhe pse fundi i ligës është gati 2 muaj larg. Që nga sezoni tjetër, Huddersfieldi do të garojë në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli.

Huddersfieldi pësoi sot disfatë më rezultat 2:0 ndaj Crystal Palace, në xhiron e 32-të të Premierligës këtë sezon. Kjo disfatë, si dhe fitoret e Southamptonit dhe Burnleyt, bëri që klubi i Hadërgjonajt ta sigurojë rënien nga liga.

Huddersfieldi bëhet ekipi i parë që nga sezoni 2007/2008 që e siguron rënien nga liga qysh në mars. Megjithatë, kjo gjë nuk ishte habitëse për tifozët e futbollit anglez, pasi që Huddersfieldi kishte siguruar vetëm një fitore që nga marsi.

Me klubin e tij, Hadërgjonaj i bëri plot 23 paraqitje në Premierligë këtë sezon dhe do ta ketë mundësinë të luajë edhe gjashtë ndeshje të tjera në këtë ligë, që vlerësohet si njëra prej më të mirave në botë.

Nuk dihet nëse Hadërgjonaj do ta kërkojë ndonjë transferim te ndonjë klub tjetër pas këtij dështimi. Mirëpo, ndryshimi që besohet se mbrojtësi anësor po e kërkon ka të bëjë me ekipet kombëtare.

Hadërgjonaj e ka përfaqësuar Zvicrën deri vonë mirëpo fakti që ai nuk u ftua nga Zvicra për ndeshjet e marsit i ka rritur edhe më shumë spekulimet që 24-vjeçari t’i bashkohet skuadrës së Kosovës në qershor. /albeu.com/
Shtuar më 30/03/2019, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori