Agnelli i plotëson dëshirën Sarrit, i sjell në Torino Jorginhon
Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi i kampionatit, Juventusi duket i sigurt drejt titullit të 9 kampion radhazi, ndërsa bashkë me të, në Torino do të konfirmohet të paktën edhe për sezonin e ardhshëm, trajneri Maurizio Sarri.

Triumfi në kampionat e bën sezonin e bardhezinjtve të suksesshëm, pavarësisht si do të shkojë ecuria në Champions, ndërsa këtë herë drejtuesit e Juventusit kanë ndërmend të zhvillojnë një merkato të bazuar në dëshirat e Sarrit.

Kështu pas brazilianit Arthur, që do të vijë në Torino në marrëveshjen e shkëmbimit me Pjanic, bardhezinjtë pritet të sjellin në dispozicion të Sarrit për sezonin e ardhshëm edhe mesfushorin e tij të preferuar, italo-brazilianin Jorginho.

Për këtë të fundit Chelsea kërkon të paktën 50 milionë euro, ndërsaTorino duken gati të paguajnë për të formuar një mesfushë me Jorginhon, Arthur dhe Kulusevskin, kartoni i të cilit është blerë që në muajin janar.

Një tjetër dëshirë e Sarrit është edhe sulmuesi i Napolit, Arkadiuz Milik që gjithashtu mund të vijë në Torino dhe të luajë në qendër të repartit të avancuar bashkë me Cristiano Ronaldon dhe Dybalën ose Douglas Costën në krah.

Mbrojtja duket reparti më i kompletuar, ku nuk priten ndërhyrje të bujshme, veçanërisht në qendër ku bardhezinjtë kanë shumë emra të dispozicion, të cilëve pritet t’u shtohet edhe Romero, të cilit i përfundon huazimi te Genoa.

Me plotësimin e dëshirave, sezonin e ardhshëm Sarrit do t’i duhet të ndërtojë një skuadër që di të luajë bukur futboll dhe mbi të gjithë të tentojë triumfin në Champions, kompeticion që vijon të mbetet “mollë e ndaluar” për bardhezinjtë.
Shtuar më 13/07/2020, ora 19:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori