Armand Duka, kontroll "blic" në "Elbasan Arena" (FOTO LAJM)

Pëlqej
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, inspekton nga afër punimet që po kryhen në "Elbasan Arena". Sipas asaj që shkruan "Panorama Sport", Duka gjatë mesditës së djeshme ka mbërritur në impiantin ku do të luajë kombëtarja jonë dhe është njohur më konkretisht me punimet. Bashkë me të ishte i pranishëm edhe Ilir Shulku.

Mësohet se Duka u ka kërkuar të gjithëve që të vijohet me ritme të shpejta për sa u përket punimeve, në mënyrë që stadiumi të jetë plotësisht gati për takimin e parë që Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë për eliminatoret e Europianit "France 2016″ në datën 11 tetor kundër Danimarkës. Presidenti i FSHF-së ka bërë një inspektim të përgjithshëm të impiantit, duke filluar nga dhomat e deri te fusha.

Përfundimi Kur kanë mbetur edhe dy javë kohë deri në fund të muajit, atëherë kur edhe mendohet që stadiumi do të jetë gati (pritet më 30 shtator) dhe UEFA do të japë verdiktin e saj, në stadium kanë mbetur ato gjërat teknike për t’u përfunduar plotësisht dhe impianti të marrë më pas licencën për të pritur takime ndërkombëtare.

Mbeten t’u vendosur stolat, që mendohet se nuk hanë shumë kohë, por janë lënë për në fund, duke qenë se ka ende punime dhe pluhurat e shumtë që krijohen prishin disi imazhin e bukur të tyre. Fasada përpara që do të ketë dy ngjyra: blu dhe gri (te bluja do të jenë tri nuanca të ndryshme), prej disa ditësh ka filluar të lyhet dhe shumë shpejt do të jetë gati. Shtrimi me pllaka në brendësi të tribunës pothuajse është i përfunduar, ashtu si edhe vendosja e gipseve. Ndërsa këto ditë ka nisur që të shtrohet edhe përreth perimetrit të stadiumit, ku fillimisht po bëhen trotuaret për kalimtarët.

Punë ditësh është edhe shtrimi i pjesës ballore të stadiumit, siç është edhe parkingu prej 400 vendesh që është projektuar.


Porosia Në vizitën e tij të pak ditëve më parë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, në inspektimin që i bëri "Elbasan Arenës" la edhe disa porosi që duhet të kryheshin patjetër. Një nga ato ishte edhe rregullimi i tribunës, që ajo të ishte më tërheqëse. Për këtë arsye, në mënyrë urgjente nga grupet e punës u morën masat që tavani i tribunës të bëhej me gips, duke e çuar në vend në këtë mënyrë edhe porosinë e Kryeministrit. Prej disa ditësh po punohet në këtë aspekt dhe do të jetë gati këto ditë.

Ajo që ta "vret" më shumë syrin në stadium është pista e atletikës, e cila duhet të rregullohet patjetër provizorisht, deri në momentin që të vendoset tartani. Edhe kjo ka qenë një porosi e veçantë e Kryeministrit Edi Rama. /albeu.com/

Shtuar më 16/09/2014, ora 13:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori