Arturo Vidal kërkon të largohet dhe hedh në gjyq Barcelonën, te Interi fërkojnë duart
Merkato e futbollistëve mund të shohë një lëvizje të bujshme në merkaton e janarit, pasi Arturo Vidal, i cili ishte vlerësuar si i paprekshëm nga Barcelona, duket se mund të largohet nga katalanasit.

Më saktësisht, futbollisti po bën lëvizje të cilat qartësisht shtyjnë drejt largimit në një mënyrë apo një tjetër nga klubi spanjoll, ndërsa prej kohësh flitet për një akord mes tij dhe Interit që e pret krahëhapur që në verë.

Sipas mediave spanjolle, futbollisti ka depozituar në Federatën Spanjolle një denoncim ndaj klubit për mospagesën e 2,4 milionë eurove që duhej të kishte përfituar si bonus në edicionin e kaluar. Kërkesa në fjalë është depozituar që më datë 5 dhjetor dhe së shpejti pritet një vendim nga komisionet juridike për këtë çështje.

Futbollisti ka pretendime fillimisht për bonusin e pagesës prej 2,5 milionë eurosh që klubi i kishte vendosur në kontratë, nëse do të luante 60% të ndeshjeve të sezonit të kaluar. Ai nuk e arriti këtë shifër, por ka luajtur saktësisht gjysmën e minutave, ndaj mendon se i takon gjysma e këtij bonusi, ndërsa te Barcelona vlerësojnë se nuk i takon asgjë.

Ndërkohë, ai ka pretendimet edhe për bonuset e Ligës së Kampioneve, pasi arritja në çerekfinale duhej t’i siguronte 2,8 milionë euro të tjera, por klubi argumenton se mund të marrë vetëm gjysmën. Ndërkaq, 250 mijë euro të tjera, sipas përfaqësuesve të Vidal, i takojnë nga fitorja e titullit kampion. Sipas dokumenteve, lojtarit duhej t’i ishin paguar rreth 4,1 milionë euro si bonuse, ndërsa në fakt i kanë kaluar vetëm rreth 1,7 milionë euro.

Lojtar pret vendimin e gjyqit, ndërsa te Barcelona të gjithë janë të bindur se këto janë lëvizje që ai po bën për të shtyrë klubin që ta shesë në janar, sigurisht te Interi ku 32-vjeçarin e pret kontrata e fundit e rëndësishme e karrierës.
Shtuar më 27/12/2019, ora 23:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori