"As Ronaldo dhe as Messi", kush është lojtari më me ndikim në botë
Pëlqej
Ish-mbrojtësi i Leicester City, Robert Huth, beson se mesfushori i Chelsea, N’Golo Kante, është lojtari më me ndikim në futbollin botëror. Mbrojtësi gjerman është aktualisht pa klub, pas largimit nga Foxes në fund të sezonit 2017-2018.

Megjithatë, ai luajti një rol kyç në fitoren e pamundur të Premier League, në sezonin 2015-2016, duke luajtur gjithsej 35 ndeshje. Mund të thuhet, megjithatë, se asnjë lojtar nuk ishte më i rëndësishëm për fitoren e titullit të këtij klubi sesa Kante, duke luajtur 37 ndeshje si mesfushor qendre shkruan Telesport.

Kante u bashkua me Leicester City në të njëjtën kohë me Huth, dhe që atëherë është transferuar te Chelsea, ku e ka fituar përsëri titullin në Premier League. Gjithashtu, ai u bë pikë referimi për Francën, duke fituar Kupën e Botës në Rusi, gjatë verës së këtij viti.

Huth e ka të lehtë të thotë lavde rreth yllit francez. “Ai është lojtari më i mirë, me të cilin kam luajtur. Ronaldo, Messi…? Kanë gjithçka, me të vërtetë, por në aspektin e ndikimit në lojë, më i miri është Kante, – tha gjermani për “The Sunday Times”. – Truri i tij punon krejtësisht ndryshe nga i futbollistëve të tjerë”.

Pavarësisht rritjes së tij të pabesueshme, Kante konsiderohet gjerësisht si një njeri i qetë jashtë fushe. Dhe Huth dëshmon të njëjtin efekt, me 27-vjeçarin që konsiderohet si lojtari më i përulur i futbollit: “Biseda jonë më e gjatë ishte “mirëmëngjesi”. Kur e takova për herë të parë, mendova se ishte i pasjellshëm. Por, ju mësoni shpejt se ai nuk është i pasjellshëm, por i qetë dhe i turpshëm. Nuk është rastësi që ne fituam ligën me të, edhe Chelsea, po ashtu. Franca fitoi Kupën e Botës. Kante do të ndryshonte çdo ekip, është shumë i mirë dhe një futbollist i zgjuar”.
Shtuar më 22/10/2018, ora 10:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori