Champions League, ja sfidat e sotme
Pëlqej
Pas 16 skuadrave të para radhën për të kompletuar raundin hapës të fazës së grupeve për sezonin 2014-15 të Champions League e kanë 16 ekipet e mbetur, në grupet E, F, G dhe H me 8 ndeshjet përmbyllëse që do të zhvillohen po njësoj, në orën 20:45. Natyrisht që në pamje të parë spikat takimi Bayern-Manchester City dhe Mynihu do të shndërrohet në kryeqytetin e kontinentit të vjetër, teksa ofron që në këtë fazë një përballje të tillë, të këtyre përmasave. Për të tretën herë në katër edicionet e fundit bavarezët përballen në grup me milionerët e City-t, por mbi të gjitha mbetet një sfidë anglo – gjermane dhe brenda ka vërtet shumë histori.

Grupi E është konsideruar njëherësh edhe grupi më i hekurt i kësaj faze, por nëse tre skuadrat e tjera rigjejnë sërish njëra–tjetrën ashtu si edhe vjet shorti u tregua i pamëshirshëm me Romën, që rikthehet në këtë fazë pas një mungese 3-vjecare. Në “Olimpico” trajneri i verdhekuqve Rudi Garcia përvec holandezit Strootman që mungon prej kohësh nuk do të ketë për arsye skualifikimi Daniele De Rossin, ndërsa në krahun tjetër veterani Leonid Slutsky i CSKA së Moskës duhet të bëjë pa emra të rëndësishëm si Dzagoev, Wenbloom, Schennikov dhe Rasmus Elm.

Në Grupin F Barcelona nuk pritet të hasë vështirësi në “Camp Nou” përballë klubit qipriot Apoel Nicosia, ndërkaq vëmendja shkon vetevetiu në Amsterdam Arena ku Ajax i Frank de Boer pritet të ketë një test shumë të vështirë përballë Paris Saint Germain, duke patur parasysh faktin që kuqeblutë janë eliminuar dy sezonet e fundit në fazën çerekfinale, nga skuadra të tilla si Barcelona dhe Chelsea.

Pikërisht në "Stamford Bridge" Schalke 04 sfidon në momentin më të papërshtatshëm Chelsean e Jose Mourinhos dhe detyra e klubit gjerman mbetet vërtet tepër e vështirë, sepse “die knappen”, minatorët nuk kanë arritur dot as të shënojnë në katër përballjet e mëparshme ndërmjet tyre. Kompletohet ky grup me ndeshjen Maribor–Sporting i Lisbonës.

Në grupin H Athletic Bilbao rikthehet pas plot 16 vjetësh dhe pjesëmarrjen e tyre të dytë në këtë raund baskët do ta nisin në stadiumin e ri “San Mames”, ku do të tentojnë që suksesin ndaj Napolit ta përsërisin ndaj një klubi me shumë eksperiencë si Shakhtar Donetsk. Në fund pas vuajtjeve të shumta të sezonit të kaluar për të fituar qoftë edhe një ndeshje në shtëpi dragonjtë do të bëjnë cmos për të kthyer faqe në pjesëmarrjen e tyre të 19 të kësaj faze dhe pikërisht ndaj klubit bjellorus Bate Borisov, që rrugës për t’u kualifikuar deri këtu eliminoi vetëm në sajë të rregullit të golit në fushë kundërshtare Skënderbeun. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2014, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori