E FUNDIT/ Milani shpëton në fund mes dramës (VIDEO)
Deputetja e PS-së letër Blatterit: Mos u tallni me emrin tonë
Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti i është drejtuar me anë të një letre , Presidentit të FIFA-s, Joseph Blatter.
Që në hyrje të letrës, deputetja socialiste thekson se si nënë e një djali 6 vjeçar, është ndier keq teksa ka parë bashkë me të birin skena dhune të ushtruar në stadiumin e Beogradit ndaj lojtarëve të kombëtares sonë.

Gjylameti kritikon autoritetet më të larta të futbollit botëror se kanë lejuar që Shqipëria dhe Serbia të ishin në një vazo, pavarësisht historisë jo të mirë që kanë këto dy shtete dhe rrezikut potencial që ishte.

"Dita" sjell të plotë letrën që deputetja Blerina Gjylameti i ka dërguar Presidentit të FIFA-s, Blater. Letra mbyllet duke theksuar se "ne jemi një vënd i vogël dhe nuk kemi aq influencë sa të kemi ndikime te ju apo te shumë politikanë që janë shprehur mbi këtë ngjarje por nuk do ta tolerojmë në asnjë moment që ju apo njerez të tjerë të talleni me emrin dhe fatin tonë".

Letra e plotë:

Dua t’ju drejtohem me këtë letër të hapur juve si drejtuesi më i lartë i FIFA. Dua t’ju drejtohem jo si përfaqësuese e parlamentit Shqiptar dhe si e zgjedhur nga njerëzit për t’i përfaqësuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre por si NËNË e një djali 6 vjec, JOELIT që e adhuron sportin e futbollit dhe i pëlqen të luajë, të shikojë ndeshjet në stadium dhe në TV, po ashtu si edhe shumë bashkëmoshatarë të tij kudo që janë pavarësisht Kombësisë, Etnisë apo Ngjyrës.
Në 14 Tetor, së bashku me Joelin dhe disa bashkëmoshatarë të tij, femijë miqsh vendosëm të shikonim një ndeshje futbolli dhe natyrisht të bënim tifo të pa kushtëzuar për përfaqësuesen e Shqipërisë.
Se si shkoi nuk ka nevojë t’jua kujtoj, se si ndihesh si prind kur fëmijët fillojnë të bëjnë pyetje : Cfarë po ndodh ? Pse po rrihen? Pse po bërtasin? Pse erdhën ata policët në fushë? Pse po djegin Flamurin? Nuk besoj se e kupton….
Unë zoti Blatter mendoj se ka vetëm një fajtor për çfarë ndodhi dhe cfarë po ndodh me ndeshjen Serbi – Shqipëri dhe ai jeni JU zoti Blatter së bashku me drejtues të tjerë të ketij Sporti . Me ata drejtues që si Presidenti i UEFA-s, z. Platini, shikojnë mundësinë e ndonjë helikopteri bombë mbi stadium!! Turp dhe qesharake..
Unë mendoj se ju zoti Blatter si përfaqësuesi më i lartë i FIFA-s i keni një borxh shumë të madh serbëve dhe shqiptarëve për gjithçka ndodhi dhe po ndodh.
Ju i hodhët benzinë zjarrit.
A duhet të ishte në një grup Shqipëria dhe Serbia? A duhet të luanim në një fushë asnjëanjëse dhe ta kursenim atë ferr? Duke parë tensionin para ndeshjes dhe në momentin e hymneve a duhej të ndërpritej ndeshja?
Por më lini t’ju kujtoj diçka:
Ne si shqiptarë kemi pasur probleme me fqinjët tanë serbë dhe megjithëse ju nuk e keni përjetuar atë çfarë kanë vuajtur shqiptarët, në ndonj kronikë lajmesh, me siguri, do keni parë dhe dëgjuar mbi vrasje, shfarrosje, përdhunime dhe gjithfarë mizorish që kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës nga ushtarët serbë në luftën famëkeqe të 1998-1999 për ironi të fatit nga po ata ushtarë që në 14 Tetor duhet të garantonin jetën e atyre pak shqiptareve të cilësuar dhe të trajtuar si “ terroriste” në fushën e lojës dhe në dhomat e zhveshjes. Bëhet fjalë për ata futbollistë profesionistë që ju dhe insitucionet tuaja perfaqësoni z. Blatter.
I keni një borxh të madh se edhe pse ne po mundoheshim dhe do të mundohemi t’i ulim dhe t’i fshijmë tensionet që kanë ekzistuar ndërmjet dy vendeve tona ndër vite, ju na rikthyet tensionin. I keni borxh brezit të ri një ngjarje të shëmtuar që rikthen tek ta ndjenjën e verbër të nacionalizmit ekstremist që ne po mundoheshim ta fshinim, duke kërkuar të jetojmë në paqe dhe harmoni me fqinjët tanë.
Politika nuk ka të bëjë me sportin është e vërtetë,po në këtë rast politika serbe po fshihet pas mos aftësisë tuaj për të mbajtur një qëndrim të drejtë mbi cfarë ndodhi në stadium gjatë ndeshjes, por edhe jashtë stadiumi, para dhe pas.
Ju zoti Blatter mund të na dënoni , mund të mos na e jepni fitoren në tavolinë mund të na bëni edhe fajtor, por një gjë duhet ta kuptoni mirë se ne e kemi fituar ndeshjen në fushë dhe jashtë saj.
Në fushë sepse luajtëm futboll cilësor pavaresisht trysnisë të pa parë në asnjë stadium tjetër në botë me thirrje, gjuajtje, kore raciste “Vraje, there shqiptarin që të mos ekzistojë” dhe nuk e kuptoj se si përfaqësuesit tuaj lejuan të ndodhte kjo.
A mos vallë ndonjë tifoz shqiptar dogji flamurin serb, apo atë të NATO-s në stadium apo kudo tjetër sikurse bënë tifozat serb. Po kjo s’kishte si të ndodhte në stadium se nuk kishte tifozë shqiptarë.
Jashtë fushe sepse kemi mbajtur që në momentet e para dhe do vazhdojmë të mbajmë një qëndrim dinjitoz duke ju larguar thirrjeve politike dhe nacionaliste.
Futbolli është i bukur sepse ka rivalitet, rivaliteti ju e dini shumë mirë është si në fushë në aspektin teknik por është edhe ne tifozeritë në koreografitë që shpalosin Flamurë,batuta ,kunja urime…. Tifozeritë punojnë shumë kohë para ndeshjes per anën artistike dhe këtë ju e dini shumë mirë.
Nuk ka nevojë t’ju kujtoj sloganet tuaja “Fair Play”, “No to Racism”…

Sa më sipër kam disa pyetje per ju:

A duhet ti tregojmë fëmijëve tanë këto skena?
A mendoni se duhet të vepronit ndryshe?
A është vërtet ai flamur apo Drone provokim?
A kishte rivalitet në tifozeri?
A e meritonin futbollistët Shqiptarë po ashtu si edhe ata serbe të luanin në ato kushte?
A duhet të trajtoheshin në atë mënyrë futbollistët ne dhomat e zhveshjes?
A ka për detyrë të garantojë sigurinë e ndeshjes nga “Toka” dhe nga “Ajri” vëndi organizator ?
A ka përmbushur federata Serbe e futbollit detyrimet që ka për organizimin e këtyre eventeve?
A është sjellë në mënyrë korrekte Policia në Serbi?
A e morët në konsideratë faktin që tifozeria Serbe është e rezikshme dhe e njohur për rrëmuja në stadium?
A kanë bërë ndonje shkelje iifozat dhe disa nga lojtarët e stolit Të Serbisë që u futën në fushë dhe sulmuan fizikisht lojtarë Shqiptarë?
A duhet të ishte një person i dënuar si Ivan në stadium me policët ngjitur në mes të fushës?
A i keni parë imazhet e djegies të flamurit Shqiptar dhe atij të NATO-s në stadium nga tifozët serbë?
A jeni dakord që Presidenti i UEFA-s Platini duhet të japë dorëheqjen pas asaj deklarate?

Mund të vazhdoja me pyetje, por mendojnë se mjaftojnë.

Jam plotësisht dakord me ju vetëm në një pike. Kjo është vërtet një ngjarje e rëndë dhe duhet dënuar.

Po duhen dënuar përgjegjësit realë sepse do të ishte akoma më e rëndë nëse do të vazhdonit të fshihni dhe të mos vlerësoni realitetin.
Ne jemi Shqipëtarë por mbi të gjitha jemi një komb që aspirojmë të jemi pjesë e familjes Europiane dhe po ashtu si Europianet e mirë dimë të vlerësojmë që një bandë tifozash dhe huliganësh veshur me të zeza nuk mundet kurrësesi të përfaqësojnë një komb . Jemi të vendosur të mos përdorim politikën nacionaliste për më tepër në një stadium futbolli.
Ne nuk do të udhëhiqemi nga ndjenja e urrejtjes por do të mirëpresim dhe respektojmë këdo skuadër që do të luajë në Shqipëri.
Një nga vecoritë më të mira të popullit Shqiptar është mikpritja!
Veçoria e futbollit është “përplasja” e kombeve në fushën e blertë dhe jo në beteja të përgjakshme.
Ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi aq influencë sa të kemi ndikime te ju apo te shumë politikanë që janë shprehur mbi këtë ngjarje por nuk do ta tolerojmë në asnjë moment që ju apo njerez të tjerë të talleni me emrin dhe fatin tone. Jemi shqiptar dhe jemi krenar!

Blerina Gjylameti
Shtuar më 17/10/2014, ora 17:33
gjoleka
e Premte 17 Tetor 2014, Ora 18:57
i lumte deputetes
Thenie te mencura
e Premte 17 Tetor 2014, Ora 21:07
Beavo te qofte,keshtu duhet te mbrohet dinjiteti yne,te jemi te drejtperdrejte dhe tja u perplasim ne fytyre te verteten atyre qe nuk duan ta shohin.I lumte kesaj deputete ,kjo e meriton vertete mandatin te perfaqsoje popullin.
pejani73
e Shtunë 18 Tetor 2014, Ora 13:04
Me ne fund nje politikane di te mbroje kombin e vete.Ju uroj gjithe te mirat ne jete Zonja Blerina
rik.t
e Shtunë 18 Tetor 2014, Ora 18:38
te lumt dora dhe ne si bashkekombas me ty z,deputete jemi shum te nderuar te pakten dikush te reagoje dhe s ka me bukur kur behet nga nje nene ju admiroj zonj..
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori