Derbi i Manchesterit është i kuq (VIDEO)
Manchester Unitedi e ka tronditur rivalin e qytetit, Manchester Cityn, duke e mposhtur në Etihad me rezultat 2:0, në një ndeshje dramatike në kuadër të xhiros së 13-të të Premierligës, vetëm tre ditë pasi Djajtë e kuq i rrëmbyen tre pikë kundër Tottenhamit.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer nuk e ka nisur këtë sezon 2019/20 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke humbur pikë kundër klubeve më të dobëta ne letër. Megjithatë, Djajtë e kuq kanë arritur t’i sjellin problemeve klubeve më të mëdha, duke e mposhtur dy herë Chelsean këtë sezon si dhe duke qenë e vetmja skuadër që i ka marrë pikë Liverpoolit në Premierligë deri më tani.

Këtë ecuri Manchester Unitedi e vazhdoi edhe sonte në stadiumin Etihad, ku e fitoi derbin e qytetit, për t’u siguruar që Mançesteri të mbetet i kuq, edhe pse Manchester City është kampioni në fuqi i Anglisë. Këtë gjë e bëri në 90 minuta lojë të zjarrta, ku pati incidente të shqyrtuara nga VAR-i e ndërhyrje nga tifozët.

Manchester Unitedi e bëri të qartë se nuk do të dorëzohet para skuadrës së Pep Guardiolës që nga fillimi i ndeshjes, duke iu kundërpërgjigjur sulmeve të Manchester Cityt me kundërsulme. Ky vullnet iu shpërblye skuadrës së Unitedit në minutën e 23-të, kur Marcus Rashfordi shënoi nga pika e penalltisë.

Gjashtë minuta më vonë, Anthony Martial e dyfishoi rezultatin e ndeshjes, duke e shënuar një gol të bukur nga qoshja e zonës së portierit Ederson.

Manchester City e pretendoi një penallti afër fundit të pjesës së parë, kur Fred e ndali topin me dorë, mirëpo gjyqtari dhe VAR-i vendosën të mos e akordojnë penalltinë pasi që Fred kishte qenë duke u rrëzuar dhe nuk e kishte qëllim ta ndalte topin me dorë.

Pjesa e dytë solli më shumë tensione në fushën e lojës, pasi që portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, u ndëshkua qysh në minutën e 54-të të ndeshjes për humbje kohe, ndërsa lojtarët e Manchester Cityt ishin të irrituar nga veprimet e kundështarëve të tyre.

Megjithatë, më të zemëruar u dukën tifozët e Manchester Cityt, që në një moment gjatë ndeshjes filluan të gjuajnë me objekte drejt fushës, kur Fred po tentonte ta harkonte një top nga korneri.

Manchester City e shtoi edhe më shumë presionin afër fundit të ndeshjes dhe goli i shpresës erdhi në minutën e 85-të të ndeshjes, kur Nicolas Otamendi shënoi. Përkundër tentimeve të vazhdueshme për ta gjetur golin e barazimit, djemtë e Pep Guardiolën nuk patën sukses.

Tre pikët e fituara nga kjo ndeshje e ngrenë Manchester Unitedin në pozitën e pestë në tabelën e Premierligës, me 24 pikë të grumbulluara nga 16 ndeshjet e para – pesë pikë larg top katërshes kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Në anën tjetër, Manchester City e mban ende pozitën e tretë në tabelë, me 32 pikë të grumbulluara – 14 më pak sesa lideri i ligës Liverpooli.
Shtuar më 07/12/2019, ora 20:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori