"Elbasan Arena", gati pas 30 ditësh (FOTO LAJM)

Pëlqej
"Elbasan Arena" do të jetë gati pas 30 ditësh dhe në këtë stadium do të luhet ndeshja e Kombëtares shqiptare me Danimarkën. Punimet që po zhvillohen i kanë ndjekur edhe përfaqësuesit e UEFA-s. Ndërkohë, kapaciteti i stadiumit është rritur me 2 mijë e 500 vende.

Nga gjashtë shkallë të shtuara në të gjithë perimetrin e tij dhe një tribunë qendrore e mbuluar dhe e zmadhuar. Për momentin, mes gjithë këtij betoni, ajo që e lidh këtë objektiv me një stadium është fusha e re e shtruar, e cila ende nuk është në gjendjen opimale, por sipas specialistëve të UEFA-s që e kanë kontrolluar dy herë, duket se situata është normale dhe do të jetë në kushtet më të mira të mundshme për ndeshjen e parë.

Kanë mbetur rreth 30 ditë nga dorëzimi i stadiumit të përfunduar dhe të gatshëm për ndeshjen me Danimarkën dhe sigurisht që kryefjala mbeten afatet dhe a do të jetë gati apo jo.

Administratori i caktuar pak ditë më parë, Dritan Kadija, është i bindur se gjithçka do të jetë gati: "Po punohet në të gjithë sektorët dhe gjithçka po bëhet sipas planeve. Afatet po respektohen si nga kompania që po realizon punimet, ashtu si edhe nga furnitorët. Po prodhohen portat e stadiumit që do të jenë automatike. Bileta do të jetë e personalizuar për secilin spektator. Publiku do të ketë çdo shërbim, duke nisur nga parkimi dhe kateringu", ka thënë ai për Top-Channel.

Në tërësi, stadiumi i Elbasanit ka përfituar një rritje në kapacitet me shkallët e shtuara, duke shkuar në total nga 10 mijë që ishte parashikuar, në 12.500 vende. Nga java e ardhshme pritet të montohen edhe poltronat në tribunën qendrore që do të jenë kuq e zi dhe do të ketë një kombinacion simbolik që lidhen me ngjyrat e flamurit tonë.

Gjithashtu, stadiumi, sipas administratorit të ri, do të përdoret edhe për ndeshjet e kampionatit shqiptar menjëherë pas ndeshjes së 11 tetorit që do të luajë Shqipëria me Danimarkën.

Sipas tij, shifra që do të paguajë një klub për të organizuar një ndeshje me drita në stadiumin e ri do të jetë rreth 300 mijë lekë. /albeu.com/
Shtuar më 27/08/2014, ora 09:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori