"Elbasan Arena", policë anglishtfolës për tifozët danezë
Burime në FSHF kanë thënë për "Panorama Sport" se pritet të ketë rreth 250 tifozë danezë në ndeshjen e nesërme në stadiumin "Elbasan Arena". Tifozët kundërshtarë do të vendosen në sektorin e rezervuar enkas për ta. Aty policia e Elbasanit ka menduar që të vendosë 10 efektivë që e njohin mirë gjuhën angleze, në mënyrë që në rastet kur duhet të kenë një komunikim me tifozët danezë, të jenë të gatshëm për t’u shërbyer.

Ndërkohë, një pjesë e tifozëve të Danimarkës nuk kanë duruar dhe kanë mbërritur në Shqipëri disa ditë para ndeshjes. Ata kanë pushtuar baret e Tiranës dhe nesër do të jenë në Elbasan.

Gjatë ditëve të fundit, një grup ultrasish danezë janë parë në rrugët e kryeqytetit dhe lokalet e ish-bllokut. Ata janë parë duke kaluar kohën dhe shijuar rrezet e diellit gjatë paradites. Tifozët danezë njihen si mbështetës të zjarrtë të Kombëtares, në një kohë që asnjëherë nuk janë bërë protagonistë në incidente. Bëhet fjalë për një tifozëri që përkrah fuqimisht skuadrën dhe nuk ka sjellje provokuese ndaj kundërshtarit, qoftë sa u përket ndeshjeve në shtëpi, ashtu edhe atyre në transfertë.

Danimarka vjen në Shqipëri pas fitores 2-1 ndaj Armenisë në ndeshjen e parë dhe tifozët nordikë besojnë se skuadra nuk do t’i zhgënjejë as në Shqipëri. /albeu.conm/



Shtuar më 10/10/2014, ora 10:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori