Elbasani në ankth, policia merr masa për Shqipëri-Danimarkë
Ditën e hënë, në një nga ambientet e FSHF-së në Elbasan, është mbajtur një takim midis drejtorit të Policisë së Qarkut të Elbasanit, Neritan Nallbati, kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, drejtorit të "Elbasan Arena", Dritan Kadia, si dhe shumë personaliteteve të tjera, për sa u përket masave që duhen marrë për takimin e 11 tetorit, Shqipëri-Danimarkë.

Në këtë takim u vu theksi te masat e policisë, e cila ka pohuar se do të garantohet qetësia dhe mbarëvajtja e takimit, si edhe u lanë detyra për t'u zbatuar ditën e ndeshjes.

Mësohet se do të bllokohen një pjesë e mirë e akseve rrugore, si edhe do të lihen shumë zona parkimi për sa u përket tifozëve që do të vijnë nga rrethet për të parë këtë ndeshje.

Një risi është edhe prezenca e policeve femra në stadium, të cilat do të merren më së shumti me akomodimin e sportdashësve në shkallët e impiantit.

MIQËSORJA

Përpara ndeshjes së të shtunës mes Shqipërisë dhe Danimarkës, do të bëhet një provë gjenerale të mërkurën me një takim miqësor. Përballë do të jetë kombëtarja jonë me 19-vjeçarët e Elbasanit dhe takimi është lënë që të luhet në orën 18:00. Mësohet se hyrja do të jetë falas për të gjithë tifozët, ndaj pritet një interesim i madh i sportdashësve për të parë këtë takim. /albeu.com/
Shtuar më 07/10/2014, ora 10:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori