Evolucioni "De Biasi", ja projekti i kombëtares
Pëlqej
Gianni De Biasi garantoi se u ka dhënë fund eksperimenteve me skuadrën dhe se edicioni i ri do ketë objektiv të qartë, që është kualifikimi për në EURO 2016. Përgjatë dy viteve të shkuara, tekniku italian përgatiti një revolucion në kombëtare, duke larguar "brezin e vjetër" dhe duke afruar emra të rinj në përfaqësuese.

Tashmë, për ndeshjen e parë të eliminatoreve, atë kundër Portugalisë, janë dhënë edhe sinjalet se cilët lojtarë nuk janë më pjesë e projektit dhe cilët do jenë baza e Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese.

TË LARGUARIT - Dy prej emrave që kishin një rol të rëndësishëm në eliminatoret e kaluara, Armend Dallku dhe Erjon Bogdani, i kanë dhënë fund aventurës me Kombëtaren zyrtarisht për shkak të moshës. I dyti i dha edhe fund karrierës. Por, nuk janë të vetmit që do u duhet t’i shikojnë ndeshjet e përfaqësueses si tifozë. Samir Ujkani zgjodhi të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës. Pavarësisht se cilësohej si pasardhësi i denjë i Beqajt te kuqezinjtë, ai e humbi vendin e titullarit kundrejt Etrit Berishës, duke marrë një vendim personal për të mos qenë më në dispozicion të De Biasit. Në fakt, ka lënë edhe një vend bosh, pasi aktualisht është vetëm Orges Shehi si alternativë.

NË DILEMË - Një numër i konsiderueshëm futbollistësh që u provuan gjatë edicionit të kaluar, nuk e kanë më statusin e të qenit stabël në grumbullime. Forma e tyre fizike dhe paraqitjet që do kenë me klubet respektive mund të rikthejnë interesin e trajnerit për t’i pasur sërish në organikë. Këtu përfshihet edhe një sulmues si Edgar Çani, i cili u projektua si zëvendësuesi perfekt i Bogdanit, por që pati një ecuri me oshilacione, duke bërë që të humbasë edhe ftesën për në përfaqësuese. Agon Mehmeti, Ahmed Januzi, Jurgen Gjasula, Azdren Llullaku, Ledian Memushaj (aktualisht i dëmtuar), Fidan Aliti, Sabien Lilaj, Gilman Lika apo Tefik Osmani "notojnë" gjithashtu në zonën e të qenit kandidat për t’u rigrumbulluar, por që më parë duhet të bindin me formën që duhet të tregojnë.

VETERANËT - Edmond Kapllani është një nga “veteranët” që De Biasi vendosi të risjellë në Kombëtare. Ndonëse përgjatë edicionit të kaluar nuk ka qenë thuajse fare në planet e italianit, paraqitja e shkëlqyer në Bundesliga II, bëri që ai të rikthehet si pjesë e Shqipërisë, duke ndihmuar me eksperiencën e tij në fushën e lojës.

ZBULIMET - Lista e atyre që janë grumbulluar për herë të parë nga kreu i pankinës kuqezi për edicionin e ri nuk është e shkurtër. Futbollistë që nisën të provohen në pjesën e fundit të sezonit të kaluar, por që tashmë janë baza e Kombëtares. Elseid Hysaj, Ermir Lenjani, Amir Abrashi, Ergys Kaçe, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi dhe Shkëlzen Gashi janë të rinj në moshë, por futbollistët duket se kanë bindur më tepër 58-vjeçarin. Taulant Xhaka dhe Herolind Shala janë edhe "blerjet" e fundit, në pritje të debutimit.

Janë baza e skuadrës të së ardhmes, por mbi të gjitha të edicionit të ri. Pa harruar edhe Valdet Ramën, i cili "humbi" ftesën për duelin ndaj Portugalisë, për shkak të mungesës së fazës përgatitore me një skuadër. Vetëm pak kohë më parë firmosi në Gjermani me Mynih 1860.

Kjo është skuadra për të cilën Gianni De Biasi punoi dy vite, formoi një brez të ri, i cili është gati për të tentuar mrekullinë e shumëpritur. (Panorama-Sport) /albeu.com/








Shtuar më 03/09/2014, ora 18:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori